Ç’përmban Emri?
nga Richard StallmanEmrat përcjellin kuptime; zgjedhja jonë e emrave përcakton domethënien e atyre që themi. Një emër i papërshtatshëm u jep njerëzve idenë e gabuar. Një trëndafil, edhe me çfarëdo emri tjetër, do të kishte po atë aromë të këndshme—por po e quajtët penë, njerëzit do të zhgënjehen kur të provojnë të shkruajnë me të. Dhe po i quajtët penat “trëndafila”, njerëzit mund të mos kuptojnë se për çfarë hyjnë në punë. Po e quajtët sistemin tonë operativ Linux, kjo përcjell një ide të gabuar të origjinës së sistemit, historikut dhe qëllimit të tij. Po e quajtët GNU/Linux, kjo përcjell (edhe pse jo hollësisht) një ide më të saktë.
A ka vërtet rëndësi për bashkësinë tonë kjo? A ka rëndësi nëse e dinë a jo njerëzit origjinën e sistemit, historikun dhe qëllimin e tij? Po—ngaqë njerëzit që harrojnë historinë shpesh janë të dënuar ta përsërisin atë. Bota e Lirë që është zhvilluar rreth GNU/Linux nuk e ka të garantuar mbijetesën; problemet që na shpunë drejt zhvillimit të GNU-së nuk janë eleminuar krejtësisht dhe na kërcënojnë me kthimin e tyre.
Kur shpjegoj pse është e saktë të quhet sistemi operativ GNU/Linux në vend se Linux, njerëzit ngandonjëherë përgjigjen kështu:
Duke pranuar që Projekti GNU meriton hakën për këtë vepër, a ia vlen zhurma në rastet kur njerëzit nuk ia japin hakën? A nuk është gjëja e rëndësishme fakti që puna u bë, jo kush e bëri? Rehatohuni, krenohuni me punën e mbaruar bukur dhe mos çani kryet për hakën.
Kjo do të ishte këshillë e urtë, sikur gjendja të ishte e tillë—sikur puna të qe kryer e të kish ardhur koha për t’u rehatuar. Sikur të qe e vërtetë! Por sfidat bulojnë dhe nuk është koha për ta marrë të ardhmen si të garantuar. Forca e bashkësisë sonë është te përkushtimi ndaj lirisë dhe bashkëpunimit. Përdorimi i emrit GNU/Linux është një mënyrë që njerëzit t’i kujtojnë vetes dhe t’ua mësojnë edhe të tjerëve këto qëllime.
Shkrimi i software-it të lirë të mirë mund të bëhet edhe pa pasur GNU-në në mendje; shumë punë e mirë është bërë në emër të Linux-it gjithashtu. Por termi “Linux”, qëkur u konceptua, është përshoqëruar me një filozofi që nuk i përkushtohet lirisë së bashkëpunimit. Ngaqë emri po përdoret gjithnjë e më shumë nga biznesi, do ta kemi edhe më shumë problem ta bëjmë të lidhet me frymën e bashkësisë.
Një sfidë e fortë i vjen të ardhmes së software-it të lirë nga prirja e shoqërive që shpërndajnë “Linux” për shtim software-i jo të lirë te GNU/Linux, në emër të leverdisë dhe fuqisë. Këtë e bëjnë krejt zhvilluesit e shpërndarjeve komerciale të mëdha; asnjë nuk e kufizon veten te software-i i lirë. Shumica e tyre s’i identifikojnë qartë paketat jo të lira në shpërndarjet e tyre. Mjaft prej tyre madje edhe zhvillojnë software jo të lirë dhe ia shtojnë atë sistemit. Disa e teprojnë duke reklamuar sisteme “Linux” që janë “licencuar për kokë”, çka i jep përdoruesit po aq liri sa Microsoft Windows-i.
Njerëzit përpiqen ta përligjin shtimin e software-it jo të lirë në emër të “popullaritetit të Linux-it” — duke vënë, në fakt, popullaritetin mbi lirinë. Ndonjëherë kjo pranohet haptas. Për shembull, Wired Magazine shkruante se Robert McMillan-it, kryeredaktor i Linux Magazine-s “i duket se zhvendosja drejt software-it me burim të hapët duhet ushqyer nga vendime teknike, në vend se nga ato politike”. Dhe CEO-ja i Caldera-s i ftoi haptazi përdoruesit të hedhin tej qëllimin e lirisë dhe më mirë të punojnë për “popullaritetin e Linux-it”.
Shtimi i software-it jo të lirë te sistemi GNU/Linux mund të rrisë popullaritetin, nëse me popullaritet nënkuptohet numri i njerëzve që përdorin diçka prej GNU/Linux-it të ndërthurur me software jo të lirë. Por në të njëjtën kohë, heshtazi bashkësia nxitet të pranojë software-in jo të lirë si gjë të mirë dhe të harrohet synimi për liri. S’është mirë të shtosh shpejtësinë, kur s’rri dot brenda rrugës.
Kur “shtesa” jo e lirë është një librari apo mjet programimi, mund të shndërrohet në grackë për zhvilluesit e software-it të lirë. Kur shkruajnë software të lirë që varet nga paketa jo të lira, software-i i tyre s’mund të jetë pjesë e një sistemi krejtësisht të lirë. Në këtë mënyrë Motif-i dhe Qt-ja hodhën në grackë një sasi të madhe software-i të lirë në të kaluarën, duke krijuar probleme, zgjidhja e të cilëve hëngri vite. Motif-i mbeti deri diku problem, deri sa u vjetrua dhe nuk përdorej më. Më vonë, sendërtimi jo i lirë i Java-s nga Sun pati efekt të ngjashëm: Kurthin Java, për fat të mirë, tani thuajse të ndrequr.
Nëse bashkësia jonë vazhdon të shkojë në këtë drejtim, kjo do të mund ta ridrejtonte të ardhmen e GNU/Linux-it për nga një mozaik përbërësish të lirë dhe jo të lirë. Këtu e pesë vitet e ardhshme, sigurisht do të kemi plot software të lirë; por nëse nuk jemi të kujdesshëm, zor se do të jetë i përdorshëm pa ca software jo të lirë, të cilin përdoruesit presin ta gjejnë aty. Po ndodhi kjo, fushata jonë për liri do të ketë dështuar.
Sikur hedhja në qarkullim e alternativave të lira të qe thjesht punë programimi, zgjidhja e problemeve të ardhshme mund të bëhej më e lehtë, dora-dorës që burimet e bashkësisë sonë shtohen. Por ne përballemi me pengesa që rrezikojnë ta bëjnë atë më të vështirë: ligjet që ndalojnë software-in e lirë. Me shtimin e patentave për software-in dhe me përdorimin e ligjeve të tillë si DMCA për të ndaluar zhvillimin e software-it të lirë për akte të rëndësishme si parja e një DVD-je apo dëgjimi i një rrëkeze RealAudio, do ta shohim vetveten pa një rrugë të qartë për të luftuar formate të fshehtë dhe të patentuar të dhënash, përveçse të mos pranojmë programet jo të lira që i përdorin ato.
Përballimi i këtyre sfidave do të dojë shumë përpjekje llojesh të ndryshëm. Por ajo që na duhet mbi të gjitha, për t’u ndeshur me çfarëdo lloj sfide, është mbajtja mend e qëllimit të lirisë për bashkëpunim. Nuk mund të presësh që dëshira e thjeshtë për software të fuqishëm, të besueshëm, të motivojë njerëzit të bëjnë përpjekje të mëdha. Na duhet ajo lloj vendosmërie që njerëzit e kanë kur luftojnë për lirinë e tyre dhe për bashkësinë e tyre—vendosmërinë për të vazhduar me vite e për të mos hequr dorë.
Në bashkësinë tonë, ky qëllim dhe kjo vendosmëri burojnë kryesisht nga Projekti GNU. Ne jemi ata që flasim për lirinë dhe bashkësinë si diçka për të cilat duhet të jemi të palëkundur; entet që flasin për “Linux”-in zakonisht nuk e thonë këtë. Revistat për “Linux”-in zakonisht janë plot me reklama për software jo të lirë; shoqëritë që paketojnë “Linux” i shtojnë sistemit software jo të lirë; të tjera shoqëri “e mbështesin Linux-in” duke zhvilluar aplikacione jo të lira që xhirojnë në GNU/Linux; grupet e përdoruesve të “Linux-it” zakonisht ftojnë përfaqësues shitjesh t’i demonstrojnë këto aplikacione. Vendi kryesor ku njerëzit në bashkësinë tonë mund të hasin idenë e lirisë dhe vendosmërisë është te Projekti GNU.
Por kur njerëzit i hasin, do ta ndjejnë që ka lidhje me ta?
Njerëzit që e dinë se po përdorin një sistem që ka dalë nga Projekti GNU, mund të pikasin një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes tyre dhe GNU-së. Nuk do të pajtohen vetvetiu me filozofinë tonë, por të paktën do të shohin një arsye për të menduar seriozisht rreth saj. Përkundrazi, njerëzit që e konsiderojnë vetveten “përdorues të Linux-it” dhe besojnë se Projekti GNU “përgatiti mjetet që dolën të dobishme në Linux”, zakonisht perceptojnë vetëm një marrëdhënie të tërthortë mes tyre dhe GNU-së. Ata thjesht mund ta shpërfillin filozofinë e GNU-së, kur e ndeshin.
Projekti GNU është idealist dhe cilido që nxit idealizëm sot, përballet me një pengesë të madhe: ideologjia sunduese i nxit njerëzit ta hedhin tej idealizmin si “jopraktik”. Idealizmi ynë ka qenë tejet praktik: është arsyeja pse kemi një sistem operativ të lirë GNU/Linux. Njerëzit që e duan këtë sistem, do të duhej ta dinin që ai është idealizmi ynë i shndërruar në diçka të prekshme.
Sikur “puna” të kish mbaruar vërtet, sikur të mos bëhej fjalë për gjë tjetër veç falënderimeve, ndoshta do të qe më e mençur të lihej të tretej çështja. Por nuk jemi në atë pozicion. Për të frymëzuar njerëzit të bëjnë punën që duhet bërë, kemi nevojë të njihet ajo që kemi bërë deri këtu. Ju lutemi, na ndihmoni, duke e quajtur sistemin operativ GNU/Linux.
Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.
Për të mësuar më tepër rreth kësaj çështje, mund të lexoni PBR GNU/Linux, faqen tonë mbi Linux-in dhe Projektin GNU, që jep një historik të sistemit GNU/Linux, siç lidhet ky me punën e emrit dhe faqen tonë mbi Përdorues të GNU-së Që Nuk Kanë Dëgjuar Kurrë Për GNU-në.