Pse Burimi i Hapët Nuk e Rrok Thelbin e Software-it të Lirë
nga Richard StallmanTermi “software i lirë” dhe “burim i hapët” janë të përdorshëm për thuajse të njëjtën gamë problemesh. Megjithatë, ato shprehin gjëra thellësisht të ndryshme mbi këto programe, bazuar në vlera të ndryshme. Lëvizja për software të lirë ngre zërin për lirinë e përdoruesve të kompjuterave; është një lëvizje për liri dhe drejtësi. Në kontrast me të, ideja e burimit të hapët çmon kryesisht përparësitë praktike dhe nuk ngre zërin për parimet. Kjo është arsyeja pse nuk pajtohemi me burimin e hapët dhe pse s’e përdorim atë term.
Kur e cilësojmë një software si “të lirë”, e kemi fjalën që ai respekton liritë thelbësore të përdoruesit: lirinë për ta xhiruar, studiuar dhe rishpërndarë kopje të tij me ose pa ndryshime. Kjo është çështje lirie, jo çmimi, pra mendojeni si tek “fjala e lirë”, jo si te “birrë falas”.
Këto liri kanë rëndësi jetike. Ato janë thelbësore, jo thjesht për hir të përdoruesit individual, por për hir të shoqërisë si e tërë, pasi promovojnë solidaritetin shoqëror—pra, ndarjen e gjërave me të tjerët dhe bashkëpunimin. Bëhen edhe më të rëndësishme, teksa kultura dhe veprimtaritë tona të përditshme sa vijnë e bëhen më dixhitale. Në një botë tingujsh, figurash dhe fjalësh dixhitale, software-i i lirë sa vjen e bëhet më thelbësor për lirinë në përgjithësi.
Dhjetëra miliona njerëz anembanë botës përdorin tani software të lirë; shkollat publike në disa rajone të Indisë dhe Spanjës tani u mësojnë krejt nxënësve të përdorin sistemin e lirë operativ GNU/Linux. Megjithatë, shumica e këtyre përdoruesve s’kanë dëgjuar kurrë rreth arsyeve etike për të cilat e krijuam këtë sistem dhe ngritëm bashkësinë e software-it të lirë, ngaqë sot, ky sistem dhe bashkësia, më shpesh shihen si të “burimit të hapët”, duke ua atribuar një tjetër filozofie, tek e cila këto liri me zor përmenden.
Lëvizja e software-it të lirë ka dalë në mbrojtje të lirisë së përdoruesit që më 1983-shin. Më 1984-n filluam zhvillimin e sistemit operativ të lirë GNU, që të mund të shmangeshin sistemet operativë jo të lirë të cilët u mohojnë përdoruesve këto liri. Gjatë viteve ’80, zhvilluam shumicën e përbërësve thelbësorë të sistemit dhe hartuam licencën GNU General Public License (GNU GPL) nën të cilën do të hidheshin në qarkullim—një licencë e hartuar posaçërisht për mbrojtjen e lirisë për të gjithë përdoruesit e një programi.
Jo të gjithë përdoruesit dhe zhvilluesit e software-it të lirë u pajtuan me synimet e lëvizjes së software-it të lirë. Më 1998-n, një pjesë e bashkësisë së software-it të lirë doli veç dhe filloi fushatë në emër të “burimit të hapët”. Termi fillimisht u propozua për shmangien e një keqkuptimi të mundshëm të termit “software i lirë”, por shpejt filloi t’u përshoqërohej ideve filozofike mjaft të ndryshme nga ato të lëvizjes së software-it të lirë.
Disa nga përkrahësit e burimit të hapët e konsideronin termin si një “fushatë marketingu për software-in e lirë”, çka do të joshte drejtues biznesesh përmes nxjerrjes në pah të përfitimeve praktike nga software-i, pa ngritur ndërkohë çështje të së mirës dhe të gabuarës, për të cilat ata mund të mos kishin qejf të dëgjonin. Të tjerë përkrahës i hodhën kategorikisht poshtë vlerat etike dhe sociale të lëvizjes së software-it të lirë. Cilatdo qofshin pikëpamjet e tyre, kur bënin fushatë për burimin e hapët, as i përmendin, as mbronin këto vlera. Termi “burim i hapët” shpejt filloi të përshoqërohej me ide dhe argumente të bazuar vetëm në vlera praktike, të tilla si krijimi ose pasja e software-it të fuqishëm, të qëndrueshëm. Prej asokohe, shumica e përkrahësve të burimit të hapët janë rreshtuar pas tij, dhe bëjnë të njëjtin përshoqërim. Shumica e diskutimeve rreth ”burimit të hapët” nuk merren me të mirën dhe të gabuarën fare, vetëm me popullaritetin dhe suksesin; ja një shembull tipik. Një pakicë e përkrahësve të burimit të hapët sot thonë se liria është pjesë e problemit, por ata nuk janë dhe aq të dukshëm mes atyre që s’janë të këtij mendimi.
Dy termat tani përshkruajnë thuajse të njëjtën kategori software-i, por përfaqësojnë pikëpamje të bazuara mbi vlera në thelb të ndryshme. Për lëvizjen e software-it të lirë, software-i lirë është një imperativ etik, respekt thelbësor për lirinë e përdoruesit. Në kontrast me të, filozofia e burimit të hapët i sheh çështjet sipas optikës se si të bëhet software-i “më i mirë”—vetëm nga pikëpamja praktike. Sipas saj, software-i jo i lirë është një zgjidhje inferiore për një problem praktik të dhënë.
Por, për lëvizjen e software-it të lirë, software-i jo i lirë është një problem shoqëror dhe zgjidhja është të reshtet përdorimi i tij dhe të kalohet te software-i i lirë.
“Software i lirë”. “Burim i hapët”. Nëse është i njëjti software (ose pothuajse), ka rëndësi cilin emër përdorni? Po, ngaqë fjalë të ndryshme përcjellin ide të ndryshme. Edhe pse një program i lirë, me çfarëdo emri tjetër, sot do t’ju jepte po atë liri, forcimi i pozitave të lirisë në një rrugë të qëndrueshme varet mbi të gjitha nga të mësuarit e njerëzve të çmojnë lirinë. Nëse doni të ndihmoni për këtë, është thelbësore të flitet për “software të lirë”.
Ne, të lëvizjes së software-it të lirë, nuk e shohim kampin e burimit të hapët si një armik; armiku është software-i pronësor (jo i lirë). Por duam që njerëzit ta dinë se ne jemi për lirinë, ndaj s’e pranojmë të etiketohemi gabimisht si përkrahës të burimit të hapët. Ajo çka mbrojmë s’është “burimi i hapët” dhe ai të cilit i kundërvihemi s’është “burimi i mbyllur”. Për ta bërë të qartë këtë, ne shmangim përdorimin e këtyre termave.
Dallime Praktike mes Software-it të Lirë dhe Burimit të Hapët
Në praktikë, burimi i hapët mishëron kritere paksa më të hapërdarë se sa ata të software-it të lirë. Me aq sa dimë, krejt kodi software i lirë i hedhur në qarkullim mund të kualifikohet si me burim të hapët. Thuajse krejt software-i me burim të hapët është software i lirë, por ka përjashtime.
Së pari, disa licenca burimi të hapët janë shumë kufizuese, ndaj nuk kualifikohen dot si licenca të lira. Për shembull, “Open Watcom” s’është e lirë, pasi licenca përkatëse nuk lejon krijimin e një versioni të modifikuar dhe përdorimin e tij privatisht. Për fat, licenca të tilla përdoren nga pak programe.
Së dyti, domosdoshmëritë e shenjës tergtare të shtuara mbi licencën e të drejtave të kopjimit të kodit mund ta bëjnë jo të lirë një program. Për shembull, përpiluesi Rust mund të jetë jo i lirë, ngaqë kushtet e shenjës tregtare ndalojnë shitjen e kopjeve, ose shpërndarjen e versioneve të ndryshuar, veç nëse hiqni plotësisht krejt përdorimet e shenjës tregtare. Se ç’lyp kjo në praktikë, s’është e qartë.
Së treti, kriteret për burim të hapët shqetësohen vetëm për licencimin e kodit burim. Vërtet, thuajse krejt zërat te Përkufizimi i Burimit të Hapët janë formuluar si kushte mbi licencë burimi të software-it, në vend se mbi çfarë janë të lirë të bëjnë përdoruesit. Por, shpesh njerëzit e përshkruajnë një të ekzekutueshëm si “burim i hapët” ngaqë kodi burim i tij mund të kihet në këtë mënyrë. Kjo shkakton ngatërrim në situata paradoksale kur kodi burim është me burim të hapët (dhe i lirë), por i ekzekutueshmi në vetvete është jo i lirë.
Rasti trivial i këtij paradoksi është kur kodi burim i një programi bart një licencë të lirë të dobët, një pa “copyleft”, por të ekzekutueshmit bartin kushte shtesë jo të lira. Supozojmë se të ekzekutueshmi u përgjigjen saktësisht burimeve të hedhura në qarkullim—mund të jetë kështu, ose mund të mos jetë—përdoruesit mund të përpilojnë kodin burim për të ndërtuar dhe shpërndarë të ekzekutueshëm të lirë. Kjo është arsyeja pse ky rast është trivial; s’është problem i rëndë.
Rasti jotrivial është i dëmshëm dhe i rëndësishëm. Mjaft produkte që përmbajnë kompjutera, kontrollojnë nënshkrimet në programe të tyre të ekzekutueshme, për t’u penguar përdoruesve instalimin e të ekzekutueshmve të ndryshëm nga to; vetëm një kompani e privilegjuar mund të krijojë të ekzekutueshëm që mund të xhirojnë te pajisja dhe të përdorin krejt aftësitë e saj. Këto pajisje i quajmë “tiranike” dhe praktika është quajtur “tivoizim”, sipas produktit (Tivo), te i cili e vumë re për herë të parë. Edhe pse i ekzekutueshmi është ndërtuar nga kod me burim të lirë dhe formalisht bart me vete një licencë të lirë, përdoruesit s’mund të xhirojnë versione të modifikuara të tij, kështu që, de-facto, i ekzekutueshmi është jo i lirë.
Mjaft produkte Android përmbajnë të ekzekutueshëm Linux jo të lirë të Tivo-izuar, edhe pse kodi i tij burimi gjendet nën GNU GPL version 2. (Versionin 3 të GNU GPL-së e konceptuam për ta ndaluar këtë praktikë; keq që Linux-i nuk e adoptoi.) Këta të ekzekutueshëm, të krijuar nga kod burim që është me burim të hapët dhe i lirë, përgjithësisht thirren si “me burim të hapët”, por nuk janë software i lirë.
Moskuptime të Rëndomta të “Software-it të Lirë” dhe “Burimit të Hapët”
Termi “software i lirë” është pre e keqinterpretimeve: një kuptim i pasynuar prej nesh, “software që mund ta keni me çmim zero”, mund t’i jepet termit po njësoj si kuptimi i synuar prej nesh, “software që i jep përdoruesit disa liri“. Për këtë problem kujdesemi duke bërë publik përkufizimin e software-it të lirë dhe duke thënë “Mendojeni si te ‘liria e fjalës,’ jo si te ‘birrë falas.’” Kjo zgjidhje s’është e përsosur; nuk mund ta eliminojë plotësisht problemin. Do të ishte më mirë një term i saktë dhe jo i dykuptimtë, sikur kjo të mos paraqiste probleme të tjera.
Mjerisht, të gjitha alternativat në Anglisht kanë probleme të tyret. Kemi shqyrtuar mjaft nga sugjerimet e njerëzve, por asnjë nuk është kaq qartazi “i drejtë” saqë kalimi në të të qe ide e mirë. (Për shembull, në disa kontekste fjalët Frëngjisht dhe Spanjisht “libre” funksionojnë bukur, por njerëzit në Indi nuk e pranojnë fare këtë.) Cilido zëvendësim i propozuar për “software-in e lirë” ka ndonjë lloj problemi semantik—dhe kjo ndodh edhe me “software-in me burim të hapët”.
Përkufizimi zyrtar i “software-it me burim të hapët” (që është botuar nga Open Source Initiative dhe është shumë i gjatë për ta përfshirë këtu) është përftuar tërthorazi prej kritereve tona për software të lirë. Nuk është i njëjti; është ca më dorëlëshuar, në disa këndvështrime. Megjithatë, në shumicën e rasteve përkufizimi i tyre pajtohet me përkufizimin tonë.
Por, kuptimi i afërmendshëm për shprehjen “software me burim të hapët” është “Mund t’i shihni kodin burim”. Dhe vërtet, shumica e njerëzve duket se keqkuptojnë termin “software me burim të hapët” në këtë mënyrë. (Termi i qartë për këtë domethënie është “me kod që mund të kihet”. Ky kriter është shumë më i dobët se përkufizimi i software-it të lirë, shumë më i dobët edhe se sa përkufizimi zyrtar i burimit të hapët. Përfshin mjaft programe që s’janë as të lirë, as me burim të hapët.
Pse e keqkuptojnë kështu njerëzit? Ngaqë kjo është domethënia natyrore e fjalëve “burim i hapët”. Por koncepti për të cilën mbrojtësit e burimit të hapët kërkuan emër tjetër, qe një variant i atij të software-it të lirë.
Ngaqë kuptimi i afërmendshëm për “burimin e hapët” s’është kuptimi që mbrojtësit e tij kanë në mendje, përfundimi është që shumica e njerëzve e keqkuptojnë termin. Sipas Neal Stephenson-it, “Linux-i është software me “burim të hapët” që do të thotë, thjesht, se cilido mund të marrë kopje të kartelave të kodit të tij burim”. Nuk mendoj se ka kërkuar me dashje të hidhte tej ose të vinte në diskutim përkufizimin zyrtar. Jam i mendimit që ai thjesht zbatoi konvencionet e anglishtes për të nxjerrë një kuptim të termit. Shteti i Kansasit publikoi një përkufizim të ngjashëm: “Përdorni software me burim të hapët (OSS). OSS është software për të cilin kodi burim është i passhëm lirisht dhe publikisht, por marrëveshjet specifike për licencimin e tij varen nga fakti se ç’i lejohet dikujt të bëjë me atë kod”.
New York Times pati një artikull që e tepron me domethënien e termit duke ia referuar testimeve beta nga ana e përdoruesve—lejimi i pak përdoruesve që të vënë në provë një version paraprak të një programi dhe të japin përshtypje konfidenciale lidhur me të—çka programuesit e software-it pronësor e kanë praktikuar prej dhjetëra vjetësh.
Termi madje është sforcuar sa të përfshijë edhe dizajne pajisjesh të publikuar pa ndonjë patentë. Dizajne pajisjesh të papatentuar mund të jenë kontribute të lavdërueshëm për shoqërinë, por termi “kod burim” s’ka lidhje me to.
Përkrahësit e burimit të hapët përpiqen të merren me këtë çështje duke treguar me gisht përkufizimin e tyre zyrtar, por kjo rrugë ndreqjeje është më pak e efektshme për ta, se sa është për ne. Termi “software i lirë” ka dy domethënie natyrale, njëra është domethënia e synuar, ndaj dikush që e ka rrokur idenë “si te fjala e lirë, jo si te birrë falas” nuk do të gabojë sërish. Por termi “burim i hapët” ka vetëm një domethënie natyrale, që është e ndryshme prej domethënies së synuar prej përkrahësve të tij. Pra nuk ka një rrugë për të shpjeguar shkurtimisht dhe përligjur përkufizimin e tij zyrtar. Kjo e përkeqëson edhe më konfuzionin.
Një tjetër keqkuptim i “burimit të hapët” është ideja që me të nënkuptohet “mospërdorimi i licencës GNU GPL”. Ky priret të shoqërojë një tjetër keqkuptim sipas të cilit “software-i i lirë” do të thotë “software nën GPL-në”. Që të dyja janë gabim, sa kohë që GNU GPL-ja i plotëson kushtet për të qenë licencë burimi të hapët dhe shumica e licencave të burimit të hapët i plotësojnë kushtet për të qenë licencë software-i të lirë. Ka mjaft licenca software-i të lirë përtej GNU GPL-së.
Termi “burim i hapët” është sforcuar më tej nga zbatimi i tij mbi veprimtari të tjera, të tilla si qeverisja, arsimi dhe shkenca, te të cilat nuk ka gjë të tillë si kodi burim dhe ku kriteret lidhur me licencimin e software-it thjesht nuk ka punë fare. E vetmja gjë e përbashkët që kanë këto veprimtari është se, në një farë mënyre, i ftojnë njerëzit të marrin pjesë në diçka. Ato e sforcojnë termin deri atje sa me të nënkuptohet vetëm “me pjesëmarrje”, ose “transparent”, ose më pak se kaq. Në rastin më të keq, është shndërruar në një fjalë të zbrazët në modë.
Vlera të Ndryshme Mund të Shpien Në Përfundime të Ngjashme…por Jo Gjithmonë
Grupet radikale të viteve ’60 kanë reputacion si fraksionistë: disa organizata u ndanë për shkak të mospajtimeve për hollësira strategjie dhe dy grupet bij e trajtonin njëri-tjetrin si armiq, edhe pse kishin synime dhe vlera themelore të ngjashme. E djathta i dha shumë rëndësi kësaj dhe e përdori për të kritikuar krejt të majtën.
Ka gojë që përpiqen të njollosin lëvizjen për software të lirë duke e krahasuar mospajtimin tonë me burimin e hapët me mospajtimet e këtyre grupeve radikale. E shohin së prapthi. Ne nuk pajtohemi me kampin e burimit të hapët lidhur me synimet dhe vlerat themelore, por pikëpamjet e tyre dhe tonat shpien në shumë raste te e njëjta sjellje praktike—fjala vjen zhvillimi i software-it të lirë.
Për pasojë, njerëz nga lëvizja e software-it të lirë shpesh punojnë bashkë me kampin e burimit të hapët në projekte praktike, të tilla si zhvillimi i software-it. Të bie në sy që pikëpamje kaq të ndryshme filozofike mund të motivojnë kaq shpesh persona të ndryshëm të marrin pjesë në të njëjtat projekte. Sido qoftë, ka situata ku këto pikëpamje në thelb të ndryshme shpien në veprime shumë të ndryshme.
Ideja e burimit të hapët është që lejimi i përdoruesve të ndryshojnë dhe rishpërndajnë software-in do ta bëjë këtë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm. Por kjo nuk është e garantuar. Zhvilluesit e software-it pronësor nuk janë medoemos të paaftë. Ka raste që ata prodhojnë programe që janë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, edhe pse ato nuk respektojnë lirinë e përdoruesve. Aktivistët e software-it të lirë dhe përkrahësit e burimit të hapët do të reagojnë në mënyra shumë të ndryshme ndaj këtij fakti.
Një përkrahës puro i burimit të hapët, një që nuk është fare i ndikuar nga idealet e software-it të lirë, do të thoshte, “Çuditem që qetë në gjendje ta bëni programin të punojë kaq mirë pa përdorur modelin tonë të zhvillimit, por ja që e bëtë. Si mund të kem një kopje?” Ky qëndrim do të shpërblejë skema që heqin liri, duke shpënë te humbja e saj.
Aktivisti i software-it të lirë do të thoshte, “Programi juaj është shumë tërheqës, por unë çmoj më tepër lirinë. Ndaj nuk e pranoj programin tuaj. Punën time do ta mbaroj me ndonjë mënyrë tjetër dhe në vend të tij do të përkrah një projekt për zhvillimin e një zëvendësimi të lirë për të”.Nëse çmojmë lirinë tonë, mund të veprojmë për ta pasur dhe mbrojtur atë.
Software-i i Fuqishëm, i Qëndrueshëm Mund të Jetë i Keq
Ideja se duam që software-i të jetë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm vjen prej supozimit se software-i është hartuar për t’u shërbyes përdoruesve të tyre. Nëse është i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, kjo do të thotë që u shërben më mirë atyre.
Por mund të thuhet që software-i u shërben përdoruesve vetëm nëse respekton lirinë e tyre. Po kur software-i është hartuar për t’u hedhur vargonj përdoruesve të tij? Në këtë rast të qenët i fuqishëm do të thotë që vargonjtë janë më shtrëngues dhe të qenët i qëndrueshëm do të thotë që është më e vështirë për t’i hequr këta vargonj. Veçori keqdashëse, të tilla si spiunimi i përdoruesve, kufizimi i përdoruesve, dyer të pasme dhe përmirësime të detyrueshme janë të rëndomta në software-in pronësor dhe disa përkrahës të burimit të hapët duan t’i sendërtojnë ato në programe me burim të hapët.
Nën trysninë e kompanive të filmit dhe regjistrimit të muzikës, software-i për përdorim nga individët po hartohen gjithnjë e më shumë për t’i kufizuar ata. Kjo veçori dashakeqe njihet si Administrim Dixhital i Kufizimeve (DRM - Digital Restrictions Management) (shihni DefectiveByDesign.org) dhe është krejt e kundërta e frymës së lirisë që software-i i lirë synon të ofrojë. Dhe jo vetëm e frymës: ngaqë synimi i DRM-së është të shkelë me këmbë lirinë tuaj, zhvilluesit e DRM-së përpiqen t’jua bëjnë të vështirë, të pamundur, ose madje edhe të paligjshme ndryshimin e software-it që sendërton në praktikë DRM-në.
Megjithatë disa përkrahës të burimit të hapët kanë propozuar software “DRM me burim të hapët”. Ideja e tyre është që, duke bërë publik kodin burim të programeve të hartuara për të kufizuar hyrjen tuaj në media të fshehtëzuar dhe duke u lejuar të tjerëve ta ndryshojnë atë, do të prodhonin software më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm për kufizimin e përdoruesve si ju. Software-i mandej do të dërgohej për ju te pajisje që nuk ju lejojnë ta ndryshoni.
Ky software mund të jetë me burim të hapët dhe të përdorë modelin e zhvillimit me burim të hapët, por nuk ka për të qenë software i lirë, sa kohë që nuk do të respektojë lirinë e përdoruesve që e xhirojnë faktikisht atë. Nëse modeli i zhvillimit me burim të hapët ia del ta bëjë këtë software më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm për kufizimin tuaj, kjo do ta bënte edhe më të keq.
Frikë nga Liria
Motivacioni fillestar kryesor i atyre që e nxorën kampin e burimit të hapët më vete prej lëvizjes së software-it të lirë qe që idetë etike të “software-it të lirë” i vinin në siklet disa njerëz. Kjo është e vërtetë: ngritja e çështjeve etike, të tilla si liria, të folurit rreth përgjegjësive ashtu si dhe rreth volisë, do të thotë t’u kërkosh njerëzve të mendojnë për gjëra që ata mund të parapëlqejnë t’i shpërfillin, fjala vjen a është etike apo jo sjellja e tyre. Kjo mund të shkaktojë parehati dhe disa njerëz thjesht mund ta mbyllin mendjen për gjëra të tilla. Por kjo nuk do të thotë që ne do të duhej të reshtnim së foluri për këto probleme.
E megjithatë kjo është ajo çka drejtuesit e burimit të hapët vendosën të bënin. U doli se duke heshtur rreth etikës dhe lirisë dhe duke folur vetëm për përfitimet e menjëhershme praktike të një pjese prej software-it të lirë, mund të ishin në gjendje ta “shisnin” software-in më me efekt te disa përdorues, veçanërisht bizneset.
Kur mbrojtësit e burimit të hapët flasin rreth çfarëdo gjëje më të thellë se kaq, zakonisht bëhet fjalë për idenë e bërjes “dhuratë” njerëzimit kodin burim. Duke e paraqitur këtë si një punë veçanërisht të mirë, tej asaj që kërkohet nga ana morale, besohet se shpërndarja e software-it pronësor pa kodin burim është moralisht e ligjëruar.
Kjo rrugë ka dalë me efektshmëri, brenda logjikës së vet. Retorika e burimit të hapët ka bindur mjaft biznese dhe individë të përdorin, madje edhe të zhvillojnë, software të lirë, çka e ka zgjeruar bashkësinë tonë—por vetëm në nivel sipërfaqësor, praktik. Filozofia e burimit të hapët, me vlerat e veta pastërtisht praktike, e pengon të kuptuarit e ideve më të thella të software-it të lirë; sjell mjaft vetë te bashkësia jonë, por nuk u mëson atyre si ta mbrojnë atë. Kjo është gjë e mirë, për aq sa bën, por nuk mjafton për ta bërë lirinë të sigurt. Tërheqja e përdoruesve drejt software-it të lirë është vetëm një pjesë e rrugës për t’i bërë mbrojtës të lirisë së tyre.
Herët a vonë këta përdorues do t’i ftojnë të rikthehen te software-i pronësor, për disa avantazhe praktike. Për të ofruar tundim të tillë punojnë kompani të panumërta, disa duke ofruar kopje falas. Pse do të duhej që përdoruesit të mos i pranonin? Ah, vetëm po t’u kenë mësuar të çmojnë lirinë që u jep software-i i lirë, të çmojnë lirinë në vetvete, në vend se volitë teknike dhe praktike të një software-i të lirë specifik, atëherë po. Për përhapjen e kësaj ideje, na duhet të flasim për lirinë. Deri në një farë shkalle, rruga “mos fol” karshi biznesit mund të jetë e dobishëm për bashkësinë, por është e rrezikshme nëse bëhet aq e rëndomtë, sa dashuria për lirinë të vijë e të duket si diçka ekscentrike.
Kjo gjendje e rrezikshme është saktësisht ajo që kemi. Shumica e personave të përfshirë me software-in e lirë, veçanërisht shpërndarësit e tij, flasin pak për lirinë—zakonisht ngaqë kërkojnë të jenë “më të pranueshëm nga bizneset”. Thuajse krejt shpërndarjet e sistemit operativ GNU/Linux i shtojnë paketa pronësore sistemit bazë të lirë dhe i ftojnë përdoruesit ta shohin këtë si një avantazh, në vend se një cen.
Software-i shtesë pronësor dhe shpërndarjet GNU/Linux pjesërisht jo të lira gjejnë tokë pjellore ngaqë shumica e bashkësisë sonë nuk këmbëngul te liria në software-in e vet. Kjo nuk është rastësi. Shumica e përdoruesve të GNU/Linux-it u njohën fillimisht me sistemin përmes diskutimeve të “burimit të hapët”, në të cilin nuk përmendet që liria është një nga synimet. Praktikat që nuk përkrahin lirinë dhe fjalët që nuk thonë gjë për lirinë ecin paralelisht, duke nxitur njëra-tjetrën. Për ta kapërcyer këtë prirje, na duhet të flasim më tepër për lirinë, jo më pak.
“FLOSS” dhe “FOSS”
Termat “FLOSS” dhe “FOSS” përdoren për të qenë asnjanës mes software-it të lirë dhe burimit të hapët. Nëse të qenët asnjanës është qëllimi juaj, “FLOSS” është më mirë se të dy, ngaqë është vërtet asnjanës. Por nëse doni të mbroni lirinë, rruga nuk është përdorimi i një termi asnjanës. Të mbrosh lirinë kërkon t’u tregosh njerëzve përkrahjen tuaj për lirinë.
Rivalë për Vëmendje
“I lirë” dhe “i hapët” janë rivalë për vëmendje. “Software-i i lirë” dhe “burimi i hapët” janë ide të ndryshme, por, nga pikëpamja se si e shohin software-in shumica e njerëzve, ata konkurrojnë për të njëjtin vend te konceptet. Kur njerëzit mësohen të thonë dhe mendojnë “burim i hapët”, kjo përbën një pengesë për kuptimin nga ana e tyre të filozofisë së lëvizjes për software të lirë dhe për të menduarit rreth saj. Nëse na përshoqërojnë tashmë ne dhe software-in tonë me fjalën “e hapët”, mund të na nevojitet një tronditje intelektuale e tyre, përpara se të kuptojnë që ne jemi tjetër gjë. Çfarëdo veprimtarie që promovon fjalën “e hapët” ka tendencë të zgjerojë perden që fsheh idetë e lëvizjes për software të lirë.
Ndaj, veprimtarët e software-it të lirë i këshillojmë të refuzojnë të punojnë në një veprimtari që e quan vetveten “e hapët”. Edhe nëse veprimtaria është e mirë në vetvete, çdo kontribut që bëni, shkakton një dëm të vogël në anën tjetër duke promovuar idenë e burimit të hapët. Ka plot veprimtari të tjera që e quajnë vetveten “të lira”, ose “libre”. Çdo kontribut në këto projekte shton diçka të mirë. Me kaq shumë projekte të dobishme prej nga mund të zgjidhet, pse të mos zgjidhet një që bën diçka të mirë ekstra?
Përfundim
Ndërkohë që mbrojtësit e burimit të hapët afrojnë përdorues të rinj te bashkësia jonë, ne veprimtarët e software-it të lirë duhet t’i vëmë supet barrës për tërheqjen e vëmendjes së tyre te çështja e lirisë. Na duhet të themi, “Është software i lirë dhe ju jep liri”!—më shpesh dhe më fort se kurrë. Çdo herë që thoni “software i lirë”, në vend se “burim i hapët”, ndihmoni kauzën tonë.
Shënime
- Joe Barr-i shkroi një artikull të titulluar Live and let license i cili jep pikëpamjen e tij mbi këtë çështje.
- Artikulli mbi motivimin e programuesve të software-it të lirë, nga Lakhan dhe Wolf, thotë se një pjesë e konsiderueshme motivohen nga pikëpamja e tyre që software-i do të duhej të ishte i lirë. Kjo, përkundër faktit që në vëzhgim u morën zhvillues nga SourceForge, një sajt që s’e përkrah pikëpamjen se kjo është një çështje etike.