Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Rreziku i E-Librave

Në një kohë kur biznesi mbizotëron qeveritë tona dhe shkruan ligjet tona, çdo përparim teknik i ofron biznesit një mundësi t’i imponojë publikut kufizime të reja. Teknologji që mund të na kishin fuqizuar,, përdoren për të na robëruar.

Me librat e shtypur,

  • Mund të blini një me para në dorë, anonimisht.
  • Mandej e keni pronë tuajën.
  • S’jeni i detyruar të nënshkruani një licencë që kufizon përdorimin e tij nga ju.
  • Formati është i njohur dhe s’ka nevojë për teknologji pronësore për të lexuar librin.
  • Librin mund t’ia jepni, t’ia jepni hua ose t’ia shitni dikujt tjetër.
  • Mundeni, fizikisht, ta skanoni dhe kopjoni librin dhe ngandonjëherë kjo është e ligjshme nën ligjet e të drejtave të kopjimit.
  • Askush s’ka fuqi të shkatërrojë librin tuaj.

Krahasojeni këtë me e-librat në Amazon (tipike për llojin):

  • Amazon lyp që përdoruesit të identifikojnë veten për të marrë një e-libër.
  • Në disa vende, përfshi ShBA-të, Amazon thotë se përdoruesi s’mund të ketë pronë e-librin.
  • Amazon lyp që përdoruesi të pranojë një licencë kufizuese mbi përdorimin e e-librit.
  • Formati është i fshehtë dhe mund ta përdorë vetëm lexojë software pronësor që kufizon përdoruesit.
  • Për disa e-libra lejohet një lloj ersatz “dhënieje hua”, për një kohë të kufizuar, por vetëm duke dhënë emrin e përdoruesit tjetër të të njëjtin sistem. S’jepet apo shitet dot.
  • Kopjimi i e-librit është i pamundur, për shkak të Administrimit të Kufizimeve Dixhitale te lexuesi dhe i ndaluar nga licenca, që është më tepër kufizuese se sa ligji i të drejtave të kopjimit.
  • Amazon mundet të fshijë së largëti e-librin duke përdorur një deriçkë të pasme. E përdori këtë deriçkë të pasme më 2009-n për të fshirë mijëra kopje të “1984” të George Orwell-it.

Qoftë edhe një nga këto shkelje i bën e-librat një hap prapa nga librat e shtypur. Duhet t’i hedhim poshtë e-librat, deri sa të respektojnë lirinë tonë.[1]

Shoqëritë e e-librave thonë se mohimi i lirive tona tradicionale është i nevojshëm që të vazhdohet të paguhen autorët. Sistemi i tanishëm i të drejtave të kopjimit i përkrah bukur këto shoqëri dhe shumicën e autorëve keq. Ne mund të përkrahim autorët më mirë në rrugë të tjera që s’duan shkeljen e lirisë tonë dhe madje edhe të legalizojmë ndarjen me të tjerët. Dy metoda që kam sugjeruar janë:

  • Të shpërndahen për autorët fonde nga taksa, bazuar në rrënjën në kub të popullaritetit të secilit autor.[2]
  • Të hartohen lexues që përdoruesit të mund t’u dërgojnë anonimisht pagesa vullnetare autorëve.

E-librat s’është e nevojshme të shkelin lirinë tonë (e-librat e Projektit Gutenberg s’e shkelin), por do ta shkelin, nëse lihen shoqëritë të vendosin. E kemi ne në dorë t’i ndalim.

Poshtëshënime

  1. [2019] Për të shfaqur hedhjen tonë poshtë të lexuesit të Amazon-ës për e-libra, ne e quajmë atë Swindle.
  2. Për më tepër rreth kësaj, shihni si fjalën time “Të drejta kopjimi përballë Bashkësie në Epokën e Rrjeteve të Kompjuterit”, ashtu edhe letrën time të hapur më 2012-ën për presidentin e Senatit Brazilian, senatorin José Sarney.