Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Tux Paint

Përshkrim

Tux Paint-i është një program ndërplatformësh për vizatim, i krijuar posaçërisht për fëmijë. Fëmijë duke filluar 3 vjeç s’kanë vështirësi të orientohen në ndërfaqen e tij të qëruar dhe intuitive, që përmban butona të mëdhenj të treguar me etiketë dhe me një ikonë, në mënyrë që fëmija të mund t’i dallojë kollaj. Në qendër të ekranit gjendet një kanavacë e bardhë ku fëmija të vizatojë duke përdorur një larmi të madhe mjetesh dhe penelash. Si fillim, fëmija mund të ngarkojë përvijime vizatimesh për t’i ngjyrosur, si në një nga ato librat për ngjyrosje.

Programi përfshin gjithë mjetet më të rëndomtë të vizatimit, të tillë si lloje vija dhe penela për vizatim me dorë të lirë dhe ngjyrosje, forma gjeometrike, përmasues, gomë për fshirje, mundësitë “Ribëje” dhe “Zhbëje”, plus tingull që luhet gjatë vizatimit, si dhe një mjet special të quajtur “Magjik” për efekte mbresëlënëse: ylber, xixëllim, shkumës, turbullim, kthim në anë tjetër, etj.

Përveç mjetit Magjik, veçori të tjera popullore mes fëmijëve janë “Stampa,” që përmban një mori figurash dhe vizatimesh të cilat mund të “stampohen” te kanavaca, bie fjala, bimë dhe lule, kafshë, elementë artistikë për festa, planetë dhe plot të tjerë. Mjaft nga këto stampa sillen drejt e me instalimin e programit, të tjera mund të kihen se koleksione më vete që duhen instaluar. Shumë përdorues kontribuojnë punë të tyret artistike për t’u përfshirë si stampa te programi; këtu do të shohin një shembull se si qe kryer kjo nga një grup fëmijësh prej një shkolle në Indi, duke vënën kështu në punë lirinë e software-it që garanton programi.

Tux Paint-i është i gatshëm në më shumë se 80 gjuhë, përfshi gjuhë pakicash dhe gjuhë nga e djathta në të majtë. Një numër i tillë i madh gjuhësh është rezultat i kontributeve të bëra nga përdorues nga e gjithë bota.

Për të mësuar më tepër: FSF Directory, Sajti Zyrtar i Tux Paint-it

Kush e Përdor dhe Si

Komente nga përdorues shtëpiakë dhe shembuj nga shkolla që përdorin Tux Paint-in gjeni te sajti zyrtar. Ka raporte se programi është një nga mjetet më të dobishme për fëmijët për t’u mësuar me aftësi elementare përdorimi kompjuteri, teksa furnizon një mjedis tërheqës për ta. Por, veçoria dalluese që e bën Tux Paint-in të paprapëlqyer ndaj software-i të ngjashëm vizatimi për fëmijë është fakti i të qenit Software i Lirë, që do të thotë se vjen pa kufizime të çfarëdo lloji dhe përdoruesit i akordohen një varg lirish. Për shembull, një nga liritë është ajo se përdoruesit i lejohet ta instalojë programin në aq poste pune sa ka qejf, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për shkollat.

Një tjetër liri domethënëse është se Software-i i Lirë garanton lirinë për të ndryshuar programin në mënyrë që të përshtatet me nevojat e përdoruesit dhe për të shpërndarë kopje të versionit të ndryshuar. Falë kësaj lirie, Tux Paint-i është i gatshëm në kaq shumë gjuhë, përfshi ato të folura nga grupe pakicash. Në fakt, përkthimet në gjuhë që fliten më pak, janë dhënë nga vetë përdoruesit. Kjo ndodh, ngaqë në shumicën e kohës, shoqëritë biznesi i të cilave përbëhet nga zhvillim software-i jo të lirë, adoptojnë politika që bazohen në madhësinë e tregut: nëse tregu s’është aq i madh sa të garantojë fitim, përgjithësisht ngurrojnë të investojnë në të.

Figurë e lules Anthurium.

Dëgjoni një nxënës të shqiptojë emrin e lules anthurium në malajalamisht.

Figurë e lules Appooppan Thaady.

Dëgjoni një nxënës të shqiptojë emrin e lules Appooppan Thaady në malajalamisht.

Një shembull i bukur se si mund të aplikohet liria e software-it në Tux Paint është puna e bërë nga nxënës 11 dhe 12 vjeç, nga shkolla VHSS Irimpanam, në shtetin e Keralës, në Indi. Puna e bërë qe krijimi i një serie stampash për programin, nga foto të bëra nga vetë nxënësit. Këta bënë foto të luleve vendase dhe i përpunuan figurat dixhitale me programin e lirë libre Programi GNU i Manipulit të Figurave, i njohur si GIMP, duke shtuar emrin e secilës lule në anglisht dhe në malajalamisht, gjuhën vendëse. Meqë Tux Paint-i ka një funksion zëri, nxënësit incizuan gjithashtu me zërat e tyre emrin e luleve në malajalamisht, në mënyrë që nëse një nga këto lule zgjidhet të stampohet në kanavacë, përdoruesi do të shohë dhe dëgjojë emrin e lules në malajalamisht. Shihni dhe shkarkoni videon dhe titrat në formatin SubRip.

Një veprimtari shtesë e dobishme, e kryer nga kjo shkollë duke aplikuar lirinë për ndryshimin e programit, qe përkthimi i ndërfaqes së Tux Paint-it në malajalamisht, gjuha e folur në shtetin e Keralës.

Pse

Liria për të ndryshuar programin është një burim i rëndësishëm, që u përdor nga shkolla për të shkuar tej synimit të mësimdhënies së aftësive elementare punimi grafik në kompjuter, apo të zbavitjes së fëmijëve. U përdor për t’u treguar atyre se teknologjia e informacionit s’është diçka ndaj së cilës duhet të nënshtrohesh, jo diçka që duhet imponuar ndaj përdoruesit, por një instrument për t’i shërbyes përdoruesve në përputhje me domosdoshmëritë e këtyre.

Gjithashtu e rëndësishme qe liria për të instaluar programin në krejt kompjuterat në laborator, ngaqë shkolla ka burime të kufizuara ekonomike, që të mund t’i investojë në licenca. Duke u shpërndarë nxënësve kopje të origjinalit dhe të versionit të ndryshuar të programit, shkolla furnizoi asistencë për familje që kalojnë periudha ekonomike të vështira.

Përfundime

Shtimi i stampave te Tux Paint-i, për nxënësit qe një përvojë ngazëlluese dhe pasuruese. Së pari, ata analizuan se si funksionon programi dhe zbuluan mekanizmin që programi përdor për sendërtimin e stampave. Mandej, mësuan se si kjo veçori e caktuar e programit lejonte shtimin e stampave dhe se si të arrihej kjo. Përfituan gjithashtu një njohje më të thellë të GIMP-it, gjatë manipulimit të figurave. Krejt procesi u dha një mundësi jo vetëm të zhvillojnë aftësi të reja teknike, por edhe të identifikojnë dhe shijojnë florën vendase. Më e rëndësishmja, mësuan se kushdo, madje edhe ata që s’janë programues, apo janë fëmijë, munden faktikisht të ndikojnë në teknologjinë e informacionit dhe ta përmirësojnë atë, kur bëhet fjalë për software-in e lirë.


Falënderime

Figurat e ndërfaqes së Tux Paint-it në malajalamisht me lule vendëse, të luleve Appooppan Thaady dhe Anthurium, si dhe që të dyja kartelat zanore janë dhënë me dashamirësi nga Vocational Higher Secondary School Irimpanam dhe licencohen sipas CC-BY-SA, Creative Commons Attribution-ShareAlike 3.0 Unported.