Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Vocational Higher Secondary School Irimpanam

Raporti vijues bazohet në informacion dhënë për ne nga stafi i shkollës.


Vendndodhje

Shkolla gjendet në Irimpanam, një zonë afër qytetit të Tripunituras, në disktriktin e Ernakulamit, të shtetit të Keralas, Indi.

Mbi

Themeluar më 1940-n, Vocational Higher Secondary School Irimpanam është një shkollë private e ndihmuar nga shteti. Ofron mësimdhënie nga niveli Upper Primary deri në nivel High School (klasat 5 deri 7 dhe 8 deri 10 përkatësisht). Në shkollë shkollohen gati 1 mijë nxënës nga 10 deri në 15 vjeç.

Motivim

Institucioni ynë u interesua posaçërisht për promovimin e aspekteve kryesore të filozofisë së Projektit GNU, të tilla si liria për të ndarë dijet me të tjerët dhe liria për të bashkëpunuar me bashkësinë tonë duke kontribuar përmirësime te programe kompjuterash. Ky ndërgjegjësim rreth Swathanthra Software (1) qe kryesisht rrjedhojë e asaj që kemi mësuar në takime të organizuara nga Indian Libre User Group (ILUG-Cochin) në qytetin e afërt Koçi. Pjesëmarrja në këto takime na ndihmoi gjithashtu të punojmë në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë e Software-it të Lirë.

Si Ia Arritëm

Migrimi në Software-in e Lirë në shkollën tonë qe përfundim i një procesi të konceptuar dhe të vënë në jetë nga qeveria e Keralas, i quajtur IT@School. Projekti, i nisur më 2001-shin, përfshiu disa mijëra shkolla në Kerala dhe më 2006-n u kalua plotësisht në Software të Lirë.

Foto nxënësish në një veprimtari Software-i të Lirë.

Nxënës në një veprimtari Software-i të Lirë të organizuar nga SSK VHSS Irimpanam.

Nga qeveria u organizuam seminare kualifikimi për të na mësuar bazat e Sistemit të ri të Lirë Operativ dhe se si të instalohet. Sistemi i ri qe përshtatur për herë të parë nga SPACE, një agjenci në Kerala që promovon përdorimin e Software-it të Lirë në sektorët privatë dhe publikë. SPACE, si dhe grupet vendore të përdoruesve të Swathanthra Software, luajtën një rol themelor gjatë procesit, duke dhënë asistencë të vazhdueshme për mësuesit. Një nga praktikat e organizuara nga SPACE na ndihmoi të ndërtojmë sajtin e shkollës tonë duke përdorur Software të Lirë.

Kualifikimi nuk qe i kufizuar te software-i, përfshinte gjithashtu mësimdhënien e bazave të mirëmbajtjes së hardware-it për mësues dhe nxënës. Në shkollën tonë, nxënës 10 vjeç dinë si të montojnë një PC.

Përdorimi i programeve të lira në klasë u lehtësua nga zbatimi i moduleve të kualifikimit që synonin nxënien nga mësuesit e përdorimit të programeve të caktuara për të dhënë mësim lëndë të ndryshme. Për shembull, pati një modul kualifikimi për mësuesit e matematikës se si të përdornin Dr Geo-n për mësimdhënie të gjeometrisë, një tjetër për mësues kimie se si të vizatojnë molekula organike duke përdorur Chemtool-in dhe mjaft të tjerë.

Të tjera veprimtari kualifikuese u kryen tok nga shkolla dhe ILUG-Cochin për të na mësuar të përdorim aplikacione të ndryshme Software të Lirë, bie fjala Blender, Inkscape,si ndërfaqen e rreshtit të urdhrave.

Shkolla ka hapur gjithashtu një kanal IRC ku nxënësit mund të bëjnë pyetje rreth problemesh që mund të hasin.

Përkushtimi ndaj Software-it të Lirë

Në fillim, sistemi i ri përdorej si “dual-boot”, ngaqë ne mësuesit nuk qemë të familjarizuar me Software-in e Lirë, por u mësuam shpejt me të dhe goxha. Aktualisht, nuk ka sisteme pronësorë të instaluar në ndonjë nga kompjuterat tanë dhe nuk përdoren programe pronësore. Përdoret vetëm Software i Lirë, në klasë dhe në zyrat e administratër.

Përdorim një gamë të gjerë programesh të lira, të tilla si GIMP, Tux Paint, Audacity, GPeriodic dhe LibreOffice, por ka dhe mjaft të tjerë.

Studentët njihen dhe me gjuhën e programimit Python, në klasën 8 (13 vjeç).

Përfundime

Figurë e ndërfaqes së TuxPaint-it në gjuhën malajalame, me një stampë lulen
Adeenia.

Dëgjoni një nxënës të shqiptojë emrin e lules Adeenia në gjuhën malajalame.

Në arsimin në shtetin e Keralas është futur “TI”-ja, që do të thotë se nxënësit po marrin dije të drejtpërdrejta teknologjike, teksa mësojnë lëndët e rregullta të planit mësimor jashtë laboratorit TI. Kjo është e mundur për shkak të numrit të madh të aplikacioneve cilësore edukative të gatshme për GNU/Linux.

Metoda transparente dhe bashkëpunuese e Software-it të Lirë i ndihmoi studentët të zhyten thellë në teknologji dhe t’i bëjë të aftë të kontribuojnë te bashkësia në rrugë të ndryshme. Një kontribut i rëndësishëm qe përkthimi i ndërfaqes së Tux Paint-it në gjuhën malajalame, gjuha jonë amtare.

Kontribut tjetër qe shtimi i stampave të reja në TuxPaint. U fotografuam lule të vendeve tona dhe vizatime nga nxënës të klasave 6 dhe 7 duke përdorur programin GIMP të përpunimi të figurave. Figurat e përftuara mandej u integruan në TuxPaint me emrin e luleve të shkruar në malajalamisht. Si një plus, nxënësit incizuan me zërat e tyre emrin e luleve, që kur përdoruesi të përzgjedhë një nga stampat, do të dëgjojë emrin e lules në malajalamisht. I regjistruar një video, për të ilustruar se si funksionon dhe se si u krye veprimtaria.

Shihni dhe shkarkoni videon. Lexoni dhe shkarkoni titrat anglisht në formatin SubRip.

Që të dyja veprimtaritë u promovuan nga Swathanthra Software Koottayma of VHSS Irimpanam (SSK VHSS Irimpanam), një grup për Software-in e Lirë të përbërë nga mësues dhe nxënës të shkollës. Ai synon të shtojë ndërgjegjësimin rreth filozofisë së Software-it të Lirë dhe të sjellë aplikacione të reja në GNU/Linux, si një rrugë kontributi te bashkësia. Grupi organizon takime të përmuajshme dhe kryen lloje të ndryshme veprimtarish, për t’i nxitur anëtarët e tij të eksperimentojnë dhe eksplorojnë Software të Lirë, për të vënë në jetë liritë që ky akordon.

Si një rrugë për të mbajtur lidhjet dhe shkëmbyer përvojë me shkolla të tjera dhe me bashkësinë e Software-it të Lirë, mësues dhe nxënës çdo vit marrin pjesë në veprimtari të tilla si Konferenca Kombëtare e Software-it të Lirë dhe Dita e Sigurisë Kibernetike.


Përkushtimi dhe bashkëpunimi i mësuesve, nxënësve dhe grupeve vendore qe thelbësor në suksesin e këtij programi qeveritar të një shkalle të madhe.


(1) Swathanthra është fjala e sanskritishtes për “i lirë”, si te liria.

Falënderime

Falënderimet për të dyja figurat në këtë faqe, si dhe për kartelën audio, i shkojnë Swathanthra Software Koottayma të VHSS Irimpanam, që i hodhi në qarkullim nën një licencë Creative Commons Attribution-Share Alike 3.0 Unported.