Ky përkthim mund të mos i pasqyrojë ndryshimet e bëra që prej 2024-07-22 te origjinali në anglisht.

Do të ishte mirë t’i hidhnit një sy këtyre ndryshimeve. Për të dhëna mbi mirëmbajtjen e përkthimeve të këtij artikulli, ju lutemi, shihni README -n mbi Përkthimet.

Sa Mbikëqyrje Mund të Përballojë Demokracia?

Karikaturë e një qeni që hap sytë i çuditur para tre reklamave që u shfaqën
në ekranin e kompjuterit të tij…

“Nga e morën vesh që jam qen?”

Falë atyre që na zbuloi Edward Snowden-i, e dimë se niveli i sotëm i mbikëqyrjes së përgjithshme në shoqëri është i papërputhshëm me të drejtat e njeriut. Të presësh që çdo veprim mbahet shënim i bën njerëzit të censurojnë dhe kufizojnë veten. Këtë e ripohojnë qartë rëniet në qafë dhe proceset gjyqësore të vazhdueshme ndaj disidentëve, burimeve të informacionit dhe gazetarëve në ShBA. Na duhet ta zvogëlojmë nivelin e mbikëqyrjes së përgjithshme, por deri ku? Ku bie saktësisht niveli maksimum i mbikëqyrjes që mund të tolerohet, të cilin duhet të bëjmë të mundur të mos tejkalohet? Është niveli përtej të cilit mbikëqyrja fillon e plekset me funksionimin e demokracisë, pra kur nxjerrësit e sekreteve (të tillë si Snowden-i) ka shumë gjasa të kapen.

Të përballur me fshehtësinë e qeverive, ne populli varemi nga nxjerrësit e sekreteve të na rrëfejnë se çfarë po bën shteti. (Kjo na u kujtua sërish gjatë 2019-s, teksa nxjerrës të ndryshëm sekretesh i dhanë publikut shtesa të informacioneve rreth përpjekjeve të Trump-it për të rrëzuar presidentin e Ukrainës.) Por mbikëqyrja e sotme i tremb nxjerrësit potencialë të sekreteve, çka do të thotë se është e tepruar. Për të shëndoshur kontrollin tonë demokratik mbi shtetin, duhet ta zvogëlojmë mbikëqyrjen deri në atë pikë, sa nxjerrësit e sekreteve ta dinë se nuk rrezikohen.

Përdorimi i software-it të lirë/libre, që mbroj që prej 1983-shit, është hapi i parë për të marrë kontrollin e jetës sonë dixhitale dhe kjo përfshin parandalimin e mbikëqyrjes. S’mund t’i zëmë besë software-it jo të lirë; NSA-ja përdor dhe madje krijonsoftware jo të lirë dobësi sigurie që të mësyjë kompjuterat dhe rrugëzuesit tanë. Software-i i Lirë na jep kontroll mbi kompjuterat tanë, por kaq s’do të na mbrojë privatësinë, pasi të futim këmbët në Internet.

Në ShBA po hartohet legjislacion dypartiak për të “reduktuar fuqinë e mbikëqyrjes së brendshme”, por duke u mbështetur në kufizimin e përdorimit nga ana e qeverisë të dosjeve tona virtuale. Kjo nuk do të mjaftojë për të mbrojtur nxjerrësit e sekreteve, nëse “kapja e nxjerrësit të sekreteve” është përligjje për të pasur akses të mjaftueshëm për identifikimin e tyre. Na duhet të shkojmë më tej.

Kufiri i Sipërm i Mbikëqyrjes në një Demokraci

Nëse nxjerrësit e sekreteve nuk guxojnë të bëjnë të njohura krime dhe gënjeshtra, humbasim grimën e fundit të kontrollit të efektshëm mbi qeverinë dhe institucionet tona. Ky është shpjegimi pse mbikëqyrja që i bën të mundur shtetit të gjejë se kush ka folur me një reporter është teprim mbikëqyrjeje—shumë, për ta përballuar demokracia.

Një zyrtar i paemër i qeverisë së ShBA-ve u tha në mënyrë ogurzezë gazetarëve më 2011-n se ShBA-të nuk do të thërrasin reporterë në gjyqe, ngaqë “E dimë se me kë keni folur.” Për ta ditur këtë, ndonjëherë është kërkuar të sillen në gjyq regjistrime thirrjesh telefonike të gazetarëve por Snowden-i na ka treguar se në fakt këtë e pësojnë krejt thirrjet telefonike të gjithkujt në ShBA, gjithmonë, nga Verizon-i dhe nga kompani të tjera po ashtu.

Veprimtarive opozitare dhe disidente u nevojitet të mbajnë të fshehta, përballë shtetesh që janë gati të luajnë rrengje të pista me to. ACLU e ka dëshmuar praktikën sistematike të infiltrimit të grupeve paqësore disidente nga ana e qeverive të ShBA-ve, me pretekstin se mes tyre mund të ketë terroristë. Pika ku mbikëqyrja bëhet e tepruar është pika kur shteti mund të gjejë se kush ka folur me një gazetar të njohur, ose me një disident të njohur.

Informacioni, Pasi Mblidhet, Do Të Keqpërdoret

Kur njerëzit e pranojnë se niveli i mbikëqyrjes së përgjithshme është shumë i lartë, përgjigja e parë është të propozohen kufij për hyrjen në të dhënat e grumbulluara. Kjo duket gjë e mirë, por s’do ta zgjidhë problemin, as edhe sado pak, madje edhe nëse supozohet se qeveria u bindet rregullave. (NSA-ja i dredhoi gjykatës FISA, e cila u shpreh se nuk qe në gjendje të bënte në fakt fajtore NSA-në.) Dyshimet për një krim do të jenë përligjje për hyrje në të dhëna, prandaj sapo një nxjerrës sekreti të akuzohet për “spiunazh”, gjetja e “spiunit” do të shërbejë si justifikim për hyrje në materialin e grumbulluar.

Në praktikë, s’mund të presim që agjencitë shtetërore të sajojnë shfajësime për të kënaqur rregullat mbi përdorim mbikëqyrjeje të dhënash—ngaqë agjencitë në ShBA gënjejnë tashmë për të mbuluar shkeljen e rregullave. Këto rregulla nuk janë menduar me gjithë mend për t’iu nënshtruar atyre; në vend të kësaj, janë një përrallë që mund ta besojmë, në daçim.

Për më tepër, ekipi i shtetit për mbikëqyrjen do t’i keqpërdorë të dhënat, për arsye personale. Disa agjentë të NSA-së i përdorën sistemet e mbikëqyrjes në ShBA për të ndjekur të dashurat e tyre—të dikurshme, të tanishme, ose të ëndërruara—sipas një praktike të quajtur “LOVEINT”. NSA-ja thotë se raste të tilla i ka zbuluar dhe ndëshkuar ca herë; nuk e dimë se sa herë të tjera nuk janë zbuluar. Por ngjarje të tilla s’duhet të na befasojnë, ngaqë policia prej kohësh e ka përdorur mundësinë e vet për hyrje në regjistrat e lejeve të drejtimit të automjeteve për të gjurmuar dikë tërheqës apo tërheqëse, praktikë e njohur si “running a plate for a date”. Me sistemet e reja dixhitale, kjo praktikë është zgjeruar. Më 2016-n, një prokuror u akuzua se kish falsifikuar nënshkrime gjykatësish për të siguruar një autorizim për përgjimin e telefonit të dikujt që qe bërë objekt fiksimi romantik. AP-ja ka dijeni për mjaft raste të tjera në ShBA.

Të dhënat e mbikëqyrjeve gjithmonë do të përdoren për qëllime të tjera, edhe nëse kjo është e ndaluar. Kur të dhënat të jenë grumbulluar dhe shteti ka mundësinë të hyjë në to, mund t’i keqpërdorë ato të dhëna në mënyra të lemerishme, siç dëshmohet nga shembuj prej Evropës, ShBA-ve dhe tani së fundi Turqisë. (Konfuzioni i Turqisë rreth faktit se cilët e kanë përdorur vërtet programin Bylock vetëm se e mahis padrejtësinë themelore të bërë me dashje, atë të ndëshkimit arbitrar të njerëzve pse e kanë përdorur.)

Mund t’ju duket se qeveria juaj s’do t’i përdorë të dhënat tuaja personale për represion, por s’mund t’i zini besë asaj dukjeje, ngaqë qeveritë ndryshojnë. Më 2021-shin, mjaft shtete, në pamje të jashtme demokratike, sundohen nga persona me prirje autoritarizmi dhe talibanët shtinë në dorë sistemet e identifikimit biometrik që qenë ujdisur me nxitjen e ShBA-ve. Britania e Madhe po merret me krijimin e një ligji për shtypje protestash jo të dhunshme që mund të përshkruhen se shkaktojnë “çrregullime serioze”. ShBA-të mund të bëhen represive në mënyrë permanente më 2025-n, për aq sa dimë.

Të dhënat personale të grumbulluara nga shteti ka gjithashtu gjasa të shtihen në dorë nga ata që arrijnë të kapërcejnë sigurinë e shërbyesve, madje edhe nga sulmues që punojnë për llogari shtetesh armiqësore.

Qeveritë mund ta përdorin lehtësisht mundësinë për mbikëqyrje masive për përmbysje të drejtpërdrejtë të demokracisë.

Mbikëqyrja tërësore, e përdorshme nga shteti, i lejon atij të kryejë ekspedita masive peshkimi kundër cilitdo person. Që gazetaria dhe demokracia të jenë të parrezik, na duhet të kufizojmë grumbullimin e të dhënave në të cilat shteti futet lehtësisht.

Mbrojtja e Fuqishme për Privatësi Duhet të Kufizojë Teknologjinë për Grumbullim të Dhënash

Electronic Frontier Foundation dhe të tjera ente propozojnë një grup parimesh ligjore të konceptuara për parandalimin e abuzimeve me mbikëqyrjen masive. Këto parime përfshijnë, pikë kyçe këtu, mbrojtje eksplicite ligjore për nxjerrës të sekretit; si pasojë, ato do të ishin të masës së duhur për mbrojtjen e lirive demokratike—nëse adoptohen tërësisht dhe zbatohen përgjithmonë pa përjashtime.

Por, mbrojtje të tilla ligjore janë pre e synimeve të palëve të ndryshme: siç e tregon historia e kohëve të fundit, ato mund anulohen (si tek FISA Amendments Act), pezullohen, ose shpërfillen.

Ndërkaq, demagogët do të përmendin justifikimet e zakonshme si bazë për mbikëqyrje tërësore; çfarëdo sulmi terrorist, madje edhe një i tillë gjatë të cilit vriten vetëm një dorë personash, mund të fryhet për t’u dhënë atyre një mundësi më tepër.

Sikur kufijtë për hyrjen në të dhëna të liheshin mënjanë, do të qe njësoj sikur të mos kishin ekzistuar kurrë: papritmas, dosje të grumbulluara gjatë vitesh të tëra do të ishin në dorë të shtetit dhe agjentëve të tij për keqpërdorim dhe, ato të grumbulluara nga kompani, për keqpërdorim privat po ashtu. Nëse ne ama e ndalim grumbullimin e dosjeve për këdo, këto dosje nuk do të ekzistojnë dhe nuk do të ketë mënyrë për t’i përpiluar ato në mënyrë prapavepruese. Një regjimi të ri joliberal do t’i duhej ta sendërtonte nga e para mbikëqyrjen dhe do të mblidhte të dhëna duke u nisur nga ajo datë. Sa për pezullimin ose shpërfilljen përkohësisht të këtij ligji, ideja zor se do të kish kuptim.

Së Pari, Mos u Bëni të Marrë

Që të keni privatësi, nuk duhet ta hidhni tej: i pari që duhet të mbrojë privatësinë tuaj jeni ju vetë. Shmangni identifikimin e vetes në sajte, përdorini ata përmes Tor-it dhe përdorni shfletues që i bllokojnë skemat që ata përdorin për të gjurmuar vizitorët. Përdorni GNU Privacy Guard-in për të fshehtëzuar lëndën e email-it tuaj. Blerjet paguajini me para në dorë.

Mbajini vetë të dhënat tuaja; mos i depozitoni ato në shërbyesin “e leverdishëm” “në re” të një kompanie. Megjithatë, një kopjeruajtje të të dhënave tuaja është e parrezik t’ia besoni një shërbimi komercial, me kusht që kartelat tuaja t’i vini në një arkiv dhe të fshehtëzoni krejt arkivin, përfshi këtu emra kartelash, me software të lirë, në kompjuterin tuaj, përpara se t’i ngarkoni.

Për hir të privatësisë, duhet të shmangni software jo të lirë; nëse ua jepni kontrollin e operacioneve të kompjuterit tuaj kompanive, gjasat janë që këto t’ju spiunojnë. Shmangni shërbimet si zëvendësime software-i ; veç dhënies të tjerëve të kontrollit mbi punimin tuaj në kompjuter, kjo kërkon detyrimisht t’i dorëzoni në shërbyesin e kompanisë krejt të dhënat përkatëse.

Mbroni privatësinë e miqve dhe të njohurve tuaj. Mos i lëshoni në erë të dhënat e tyre personale përjashto ato se si të kontaktohen ata dhe mos i jepni kurrë asnjë sajti listën e kontakteve tuaj email ose telefonike. Mos i tregoni një kompanie, të tillë si Facebook-u, asgjë mbi miqtë tuaj të cilën ata s’do të donin ta shihnin të botuar në një gazetë. Madje më mirë, mos e përdorni fare Facebook-un. Mos pranoni sisteme komunikimi që u kërkojnë përdoruesve të japin medoemos emrat e tyre të vërtetë, edhe pse jeni të lumtur të jepni tuajin, meqë ato ushtrojnë trysni mbi persona të tjerë që këta të heqin dorë nga privatësia.

Vetëmbrojtja është thelbësore, por edhe mbrojtja më rigoroze e vetes është e pamjaftueshme për mbrojtjen e privatësisë suaj në ose nga sisteme që nuk ju përkasin ju. Kur ne komunikojmë me të tjerët ose endemi nëpër qytet, privatësia jonë varet nga praktikat e shoqërisë. Mund t’u shmangemi disave prej këtyre sistemeve që mbikëqyrin komunikimet dhe lëvizjet tona, por jo të gjithëve. Pa mëdyshje, zgjidhja më e mirë është të bëhen tërë këta sisteme të reshtin mbikëqyrjen e njerëzve për krejt rastet e tjera, hiq ato për dyshime të përligjura.

Çdo Sistem Duhet Ta Hartojmë Me Privatësinë Në Mendje

Nëse nuk duam një shoqëri mbikëqyrjeje tërësore, duhet ta konsiderojmë mbikëqyrjen një lloj ndotjeje sociale dhe ta kufizojmë ndikimin e mbikëqyrjes prej çdo sistemi të ri dixhital, po njësoj siç kufizojmë ndikimin mjedisor të një ndërtimi.

Për shembull: Matësit e “mençur” të energjisë elektrike i mburrin se i dërgojnë çast pas çasti kompanisë së energjisë të dhëna mbi përdorimin e energjisë nga secili konsumator, përfshi krahasim me përdoruesit në përgjithësi. Kjo është sendërtuar duke u bazuar mbi mbikëqyrje të përgjithshme, por s’ka nevojë për ndonjë mbikëqyrje. Për kompaninë e energjisë do të ishte e lehtë të llogariste mesataren e përdorimit në një lagje, duke pjesëtuar sasinë e përgjithshme të konsumuar me numrin e pajtimtarëve dhe këtë t’ua dërgojë matësve. Matësi i çdo konsumatori mund të krahasonte kështu regjistrimin e tij, përgjatë cilësdo periudhe kohore, me mesataren e përdorimit për atë periudhë. I njëjti përfitim, ama pa mbikëqyrje!

Na duhet të hartojmë të tillë privatësi në krejt sistemet tona dixhitale. [1].

Kurë për Grumbullimin e të Dhënave: Të Lihen të Shpërhapura

Një rrugë për ta bërë mbikëqyrjen të parrezikshme për privatësinë është të mbahen të dhënat të shpërhapura dhe në mënyrë të tillë që hyrja në to të jetë e paleverdishme. Kamerat e dikurshme të sigurisë nuk qenë kërcënim për privatësinë (*). Regjistrimet depozitoheshin dhe ruheshin me kushtin paraprak: e shumta vetëm për disa javë. Ngaqë hyrja në to dhe përdorimi i tyre s’qe gjë e kollajtë, kjo s’u bë kurrë masivisht; ato hapeshin dhe përdoreshin vetëm në vende ku dikush kish njoftuar për një shkelje të ligjit. Do të ishte e pamundur të grumbulloheshin fizikisht miliona shirita regjistrimesh çdo ditë dhe të shiheshin apo kopjoheshin.

Sot, kamerat e sigurisë janë bërë kamera mbikëqyrjeje: ato janë të lidhura në Internet, që regjistrimet të mund të grumbullohen në një qendër të dhënash dhe të ruhen përgjithmonë. Në Detroit, policët ushtrojnë trysni mbi bizneset për t’u dhënë hyrje të pakufizuar në kamerat e tyre të mbikëqyrjes, që kështu të mund të shohin përmes tyre në çfarëdo kohe, gjithë kohën. Kjo është që tani e rrezikshme, por ka për t’u bërë edhe më keq. Përparimet teknike në njohjen e fytyrave mund të sjellin një ditë kur gazetarët e dyshuar të ndiqen rrugës gjithë kohën, për të parë se me kë bisedojnë.

Shpesh, vetë kamerat e lidhura me Internetin, kanë siguri dixhitale që ta shpif, që do të thotë se kushdo mund të vëzhgojë atë që sheh syri i kamerës. Kjo i bën kamerat e lidhura në internet një kërcënim të madh për sigurinë dhe për privatësinë. Për hir të privatësisë, duhet të ndalojmë përdorimin e kamerave të lidhura me Internetin të fokusuara ku dhe kur ka publik, hiq rastin kur ato mbahen nga të pranishëm në këto vende publike. Gjithkush duhet të jetë i lirë të postojë, me raste, foto dhe regjistrime video, por grumbullimi sistematik në Internet i të dhënave të tilla duhet të kufizohet.

(*) Po marr si të mirëqenë që kamera e sigurisë sheh brenda një dyqani, ose mbi një rrugë. Cilado kamera e drejtuar mbi hapësirën private të dikujt, nga dikush tjetër, cenon privatësinë, por ky është problem tjetër.

Kurë për Mbikëqyrje të Tregtisë Në Interent

Shumica e të dhënave vjen nga veprimtaritë dixhitale të vetë njerëzve. Zakonisht të dhënat grumbullohen së pari nga kompanitë. Por kur vjen fjala për kërcënimin e privatësisë dhe demokracisë, s’ka dallim mes mbikëqyrjes së bërë drejtpërdrejt nga shteti, apo të deleguar një biznesi, ngaqë shteti mund t’i ketë të dhënat që mbledhin kompanitë.

Përmes PRISM-it, NSA-ja ka hyrë në bazat e të dhënave të mjaft korporatave të mëdha të Internetit. AT&T-ja ka ruajtur krejt regjistrimet e veta të thirrjeve telefonike që prej 1987-s dhe ia jep ato DEA-s për kërkime, kur i është kërkuar. Në këndvështrim të ngushtë, qeveria e ShBA-ve nuk i zotëron këto të dhëna, por në terma praktikë i zotëron po njësoj. Disa kompani i mburrin se u kanë rezistuar, me aq sa munden, kërkesave për të dhëna nga qeveria, por kjo mund të kompensojë vetëm pjesërisht dëmin që shkaktojnë përmes grumbullimit të këtyre të dhënave. Veç kësaj, mjaft nga këto kompani, i keqpërdorin vetë të dhënat ose ua furnizojnë ato tregtarëve të të dhënave.

Synimi për ta bërë gazetarinë dhe demokracinë të pakërcënuar kërkon atëherë që të reduktojmë të dhënat e grumbulluara rreth njerëzish nga çfarëdo enti, jo thjesht nga shteti. Duhet t’i rikonceptojmë sistemet tona dixhitale që të mos grumbullojnë të dhëna rreth përdoruesve të tyre. Nëse u duhen të dhëna dixhitale rreth transaksioneve tona, nuk duhet lejuar që t’i mbajnë ato më gjatë se një interval të shkurtër kohe përtej atij që nevojitet doemos për çka po kryejnë për ne.

Një nga shkaqet e nivelit të tanishëm të mbikëqyrjes në Internet është fakti që sajtet financohen përmes reklamave të bazuara në ndjekjen e veprimtarisë dhe prirjeve të përdoruesve. Kjo e shndërron një bezdi të thjeshtë—reklamën, që mund të mësohemi ta shpërfillim—në një sistem mbikëqyrjeje që na dëmton, pavarësisht se e dimë apo nuk e dimë. Blerjet nëpërmjet Internetit gjithashtu përdoren për të ndjekur përdoruesit e tyre. Dhe ne të gjithë e dimë se “rregullat e privatësisë” janë më tepër justifikime për të shkelur privatësinë, se sa angazhime për ta mbrojtur atë.

Mund t’i ndreqnim të dy problemet duke bërë tonin një sistem pagesash anonime—anonim për atë që paguan, kuptohet. (Nuk duam që ai që paguhet, t’u bëjë bisht taksave.) Bitcoin-i s’është anonim, pavarësisht se ka përpjekje për të zhvilluar mënyra që të paguani me Bitcoin në mënyrë anonime. Sido qoftë, teknologjia për paranë dixhitale u zhvillua së pari në vitet ’80; software-i GNU për ta bërë këtë quhet GNU Taler. Tani kemi nevojë vetëm për marrëveshje të përshtatshme mes bizneseve dhe që shteti të mos i pengojë ato.

Një tjetër metodë për pagesa anonime do të mund të përdorte karta telefonike të parapaguara. Është më pak e volitshme, por shumë e lehtë të sendërtohet.

Një kërcënim i mëtejshëm nga grumbullimi i të dhënave personale prej sajteve është se cenuesit e sigurisë mund të hyjnë në to, t’i marrin dhe t’i keqpërdorin. Kjo përfshin hollësi kartash krediti të konsumatorëve. Një sistem pagesash anonime do t’i jepte fund këtij rreziku: një e çarë sigurie te sajti nuk do t’ju bënte dëm, nëse sajti nuk di asgjë rreth jush.

Kurë për Mbikëqyrjen e Udhëtimeve

Duhet ta shndërrojmë mbledhjen e pagesave dixhitale të lidhura me udhëtimet në mbledhje pagesash anonime (duke përdorur para dixhitale, për shembull). Sistemet e leximit të targave njohin krejt targat dhe të dhënat mund të ruhen përgjithmonë; do të duhej që ligji të kërkonte të dalloheshin dhe të regjistroheshin vetëm ato targa që gjenden në një listë automjetesh që kërkohen me urdhër gjykate. Sipas një alternative më pak të sigurt do të regjistroheshin krejt automjetet, në shkallë vendore, por vetëm për pak ditë dhe të dhënat e plota të mos jepen nëpërmjet Internetit; hyrja në të dhënat do të duhej kufizuar në kërkime për numra sipas një liste me targa për të cilat ka urdhër gjykate.

Lista “no-fly” e ShBA-ve duhet shfuqizuar, sepse përbën ndëshkim pa gjyq.

Është e pranueshme të kihet një listë njerëzish të cilët të kontrollohen me kujdes të veçantë, tok me bagazhet e tyre dhe pasagjerët anonimë në fluturimet e brendshme mund të trajtohen sikur të ishin në këtë listë. Është gjithashtu e pranueshme të mos lejohen ata që nuk janë shtetas, nëse nuk u është lejuar të hyjnë fare në vend, të hipin në fluturime drejt një vendi. Kjo do të duhej të ishte e mjaftë për krejt qëllimet e ligjshme.

Mjaft sisteme transiti masiv përdorin për pagesa ndonjë lloj karte të mençur, ose RFID. Këto sisteme grumbullojnë të dhëna personale: nëse e bëni vetëm një herë gabimin të paguani me to dhe jo me para klasike, ato e përshoqërojnë përgjithmonë kartën me emrin tuaj. Për më tepër, regjistrojnë gjithçka ka të bëjë me udhëtimet përshoqëruar secilës kartë. Të marra bashkë, bëhen mbikëqyrje masive. Ky grumbullim të dhënash duhet reduktuar.

Shërbimet e orientimit dhe hartave kryejnë mbikëqyrje: kompjuteri i përdoruesit i tregon shërbimit të hartave vendndodhjen dhe ku dëshiron përdoruesi të mbërrijë; mandej shërbyesi përcakton rrugën dhe ia dërgon kompjuterit të përdoruesit, i cili e shfaq. Sot, ka gjasa që shërbyesi i regjistron vendet e përdoruesve, ngaqë asgjë nuk ia ndalon. Kjo mbikëqyrje nuk është së brendshmi e domosdoshme dhe mund të shmanget përmes rikonceptimit: software-i lirë/libre në kompjuterin e përdoruesit mund të shkarkojë të dhëna harte për zonat që i interesojnë (nëse nuk janë shkarkuar tashmë), të përllogarisë rrugën dhe ta shfaqë, pa i treguar kujt ndonjëherë se ku gjendet apo ku dëshiron të shkojë përdoruesi.

Sistemet për dhënien e biçikletave me qira, etj., mund të hartohen në mënyrë të tillë që identiteti i qiramarrësit të njihet vetëm brenda stacionit nga u mor objekti me qira. Qiradhënësi do të njoftonte krejt stacionet se objekti është “dhënë”, që kështu, kur përdoruesi e jep mbrapsht në cilindo stacion (përgjithësisht, një i ndryshëm nga fillestari), ai stacion do ta dijë se ku dhe kur qe marrë me qira objekti. Do të njoftojë stacionin tjetër se objekti nuk është më “i dhënë”. Do të llogarisë gjithashtu faturën e përdoruesit dhe do t’ia dërgojë (pasi të presë një numër të rastësishëm minutash) qendrës së një vargu stacionesh, në mënyrë që qendra të mos gjejë dot se nga cili stacion erdhi fatura. Pasi të jetë kryer kjo, stacioni ku u dorëzua objekti pas përdorimit do të harronte gjithçka rreth transaksionit. Nëse një objekt mbetet “i dhënë” për një kohë të gjatë, stacioni nga u mor me qira mund të njoftojë qendrën; në këtë rast, mund ta dërgojë identitetin e qiramarrësit menjëherë.

Kurë për Dosjet e Komunikimeve

Operatorët e shërbimeve Internet dhe kompanitë telefonike ruajnë të dhëna të zgjeruara mbi kontaktet e përdoruesve të tyre (shfletim, thirrje telefonike, etj). Me telefonat celularë, ata regjistrojnë gjithashtu vendndodhje fizike të përdoruesve. Këto dosje i ruajnë për një kohë të gjatë: mbi 30 vjet, në rastin e AT&T-së. Së shpejti do të regjistrojnë madje veprimtarinë e trupit të përdoruesit. Duket se NSA-ja i grumbullon të dhënat mbi vendndodhjet e celularëve në stil tregu shumice.

Komunikimi i pambikëqyrur është i pamundur atje ku sistemet krijojnë dosje të tilla. Prandaj do të duhej të ishte e paligjshme të krijohen ose ruhen ato. ISP-të dhe kompanitë telefonike s’duhet të lejohen të ruajnë informacion të tillë për një kohë të gjatë, në mungesë të një urdhri gjykate për të përgjuar një palë të caktuar.

Kjo zgjidhje nuk është plotësisht e kënaqshme, ngaqë s’do ta ndalë grumbullimin material nga qeveria të krejt të dhënave sapo të krijohen—që është ajo çka bëjnë ShBA-të me disa, ose me të tëra kompanitë telefonike. Do të na duhet të bazohemi në ndalimin me ligj. Sidoqoftë, kaq do të ishte më mirë se sa gjendja e tanishme, ku ligji përkatës (ligji PAT RIOT Act) s’e ndalon qartazi këtë praktikë. Për më tepër, nëse qeveria i kthehet këtij lloji mbikëqyrjeje, s’do të merrte të dhëna mbi thirrjet telefonike të gjithkujt të bëra përpara asaj kohe.

Lidhur me privatësinë rreth se me kë shkëmbeni email, një zgjidhje e thjeshtë e pjesshme, është që ju dhe të tjerët të përdorni shërbime email në një vend që nuk do të bashkëpunonte kurrë me qeverinë tuaj dhe të komunikoni me njëri-tjetrin duke përdorur fshehtëzim. Megjithatë, Ladar Levison (pronar i shërbimit email Lavabit, të cilin mbikëqyrja në ShBA u përpoq ta korruptonte plotësisht) ka një ide më të sofistikuar për një sistem fshehtëzimi, përmes të cilit shërbimi juaj email do të dinte vetëm se ju i dërguat email një përdoruesi të shërbimit tim email dhe shërbimi im email do të dinte vetëm se unë kam marrë email prej një përdoruesi të shërbimit tuaj email, por do të ishte e vështirë të përcaktohej se email-in ma keni dërguar mua.

Ca Mbikëqyrje Ama Është e Nevojshme

Që shteti të gjejë keqbërësit, lypset të jetë në gjendje të hetojë krime specifike, ose dyshime për krime specifike të planifikuara, me një urdhër gjykate. Me Internetin, aftësia për të përgjuar bashkëbisedimet telefonike do të shtrihej natyrisht te aftësia për të përgjuar lidhjet Internet. Është e lehtë të abuzohet me këtë aftësi për arsye politike, por është edhe e nevojshme. Për fat të mirë, kjo nuk bën të mundur gjetjen e nxjerrësve të sekretit pas faktit të kryer, nëse (siç këshilloj) ua pengojmë sistemeve dixhitalë grumbullimin e dosjeve masive përpara faktit të kryer.

Individët me fuqi speciale të akorduar nga shteti, të tillë si policët, e humbasin të drejtën për privatësi dhe duhen mbikëqyrur. (Në fakt, policët kanë term zhargon të tyrin për betim të rremë, “testilying”, ngaqë e bëjnë kaq shpesh, veçanërisht lidhur me protestuesit dhe fotografët.) Një qytet në Kaliforni, që e bëri të detyrueshëm për policët përdorimin e kamerave video në trup gjithë kohën, zbuloi se përdorimi i forcës prej tyre ra me 60%. ACLU është në favor të kësaj.

Korporatat nuk janë njerëz, ndaj as subjekt i të drejtave të njeriut. Është e ligjshme të kërkohet që bizneset të publikojnë hollësi të proceseve që mund t’i shkaktojnë shoqërisë rreziqe kimike, biologjike, bërthamore, fiskale, kompjuterike (p.sh., DRM) ose politike (p.sh., lobimi), në çfarëdo niveli që është i nevojshëm për mirëqenien publike. Rreziku i këtyre operacioneve (sillni në mendje rrjedhjen e naftës nga BP-ja, shpërthimet nga shkrirja e reaktorit në Fukushima dhe krizën fiskale të 2008-s) e bën më të vogël atë të terrorizmit.

Sido që të jetë, gazetaria duhet të mbrohet nga mbikëqyrja edhe kur kryhet si pjesë e një biznesi.

Përfundim

Teknologjia dixhitale ka sjellë një rritje të tmerrshme të nivelit të mbikëqyrjes së lëvizjeve, veprimeve dhe komunikimeve tona. Bëhet fjalë për shumë më tepër se sa patëm provuar në vitet ’90 dhe shumë më tepër se sa patën provuar njerëzit pas Perdes së Hekurt gjatë viteve ’80 dhe kufijtë e propozuar ligjorë mbi përdorimin nga shteti të të dhënave të grumbulluara nuk do ta ndryshonin gjendjen.

Kompanitë po hartojnë mbikëqyrje edhe më të thellë. Ka zëra që thonë se mbikëqyrja gjithkund, e rrënjosur në kompani të tilla si Facebook-u, mund të kenë efekte të thella në mënyrën se si mendojnë njerëzit. Mundësi të tilla nuk janë të vlerësueshme me saktësi; por kërcënimi ndaj demokracisë këtu s’është spekulim. Ekziston dhe është i dukshëm që sot.

Duhet ta kthejmë mbrapsht këtë rritje, veç në besofshim se vendet tona të lira kanë vuajtur dikur nga deficite të rënda të mbikëqyrjes dhe se duhej të përgjoheshin më shumë se sa qenë përgjuar Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore. Kjo lyp ndaljen e grumbullimit masiv të të dhënave rreth njerëzve.

Shënim Fundi

  1. Kushtit të të qenit i pambikëqyrur i janë referuar si privatësi mjedisi.
  2. Në ditët tona, njohja e fytyrave thellon rrezikun e kamerave të mbikëqyrjes. Kina identifikon tashmë njerëzit përmes fytyrës së tyre, për t’i ndëshkuar dhe Irani ka në plan ta përdorë për të ndëshkuar femra që cenojnë kode veshjeje të imponuar nga feja.