Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Po, Jepuani

Shënim i redaktorit: Ky tekst u gjet në një kartelë të majit 1983, edhe pse s’është e qartë nëse qe shkruar atëherë apo më herët. Në maj të 1983-shit, Richard Stallman po bluante në mendje privatisht mundësinë e zhvillimit të një sistemi operativ të lirë, por mund të mos kish vendosur ende për ta bërë një sistem të ngjashëm me Unix, apo diçka të ngjashme me MIT Lisp Machine.

S’kishte bërë ende dallimin, nga ana konceptuale, të dy kuptimeve të termit “i lirë”; ky mesazh është formuluar sipas kuptimit falas, por merr të mirëqenë se kështu përdoruesit kanë liri gjithashtu.


Një nga arsyet e rëndësishme për ta dhënë software-in lirisht është t’u lejohet përdoruesve ta ndryshojnë. Kjo u lejon ta përdorin më mirë dhe gjithashtu i nxit dhe u lejon të kontribuojnë te përpjekja. Tej këtyre, kjo u zhvillon mbështetjen te vetja, vetëbesimin dhe një ndjenjë përgjegjësie.

Kam dëgjuar shpesh se amerikanët do ta mendojnë të pavlerë diçka, nëse është falas. Mund të jetë e vërtetë, por s’është e arsyeshme. Është e drejtë e njerëzve të jenë neurotikë, por s’duhet ta nxisim. Ndërkohë, dhënia falas e software-it s’është “trajtim si i pavlerë”, thjesht pse disa mazokistëve mund t’u duket i pavlerë.

Përdoruesit s’do të ndryshonin software-in, nëse do të ishte i pavlerë; por ngaqë është me më shumë vlerë për ta, si i ndryshuar, se sa më parë. Ca mirëmbajtje e centralizuar është gjithashtu e dobishme, por ka rrugë të tjera për ta arritur këtë, pa i rënë më qafë përdoruesve.

Kam mjaft përvojë në dhënie software-i të tjerëve dhe me përdorues që e ndryshojnë. Më duket se

  1. prirja për të besuar se EMACS është i pavlerë të jetë e pakët
  2. përdoruesit e ndryshojnë EMACS-in shumë
  3. ndryshimet nga përdoruesit kontribuojnë në zhvillimin e EMACS-it
  4. mirëmbajtja e centralizuar e EMACS-it vazhdon

Përdoruesve iu afrova nga pozita e një fryme jo manipuluese, bashkëveprimi dhe ata reaguan me entuziazëm dhe në mënyrë bashkëvepruese. Kur u thuhet se kufizimet vendosen për të gënjyer neurozat e tyre, ose ngaqë janë parë paraprakisht si jo të aftë, ta do mendja që do të ndihen keq. Priren gjithashtu të bëhen të paaftë dhe neurotikë.