Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Përdorues të GNU-së Që Nuk Kanë Dëgjuar Kurrë për  GNU-në

Shumica e njerëzve s’kanë dëgjuar kurrë për GNU-në. Madje dhe shumica e njerëzve që përdorin sistemin GNU, s’kanë dëgjuar kurrë për GNU-në, ngaqë kaq shumë njerëz dhe shoqëri i mësojnë ta quajnë “Linux”. Vërtet, përdoruesit e GNU-së shpesh thonë se “xhirojnë Linux”, që është njësoj si të thuash se “ngisni karburatorin tuaj” ose “ngisni trasmisionin tuaj”.

Sido që të jetë, ata që kanë njohuri mbi GNU-në e përshoqërojnë me idealet e lirisë së lëvizjes për software të lirë. Ky përshoqërim nuk është i rastit; motivi për zhvillimin e GNU-së qe pikërisht bërja e mundur të përdoret kompjuteri dhe të kihet liri.

Një person që emrin “GNU” e sheh për herë të parë te “GNU/Linux” s’ka si ta dijë menjëherë se çfarë përfaqëson, por është afruar një hap më tepër zbulimit. Përshoqërimi mes emrit GNU dhe synimeve tona për liri dhe solidaritet shoqëror gjendet në mendjet e qindra mijëra përdoruesve të GNU/Linux-it që kanë njohuri mbi GNU-në. Gjendet te gnu.org dhe te Wikipedia. Gjendet në Internet; nëse këta përdorues kërkojnë rreth GNU-së, do të zbulojnë idetë që mishëron GNU-ja.

Po nuk kërkuan për të, mund ta hasin prapëseprapë. Retorika e “burimit të hapët” priret ta shpjerë vëmendjen e njerëzve larg nga problemet e lirisë së përdoruesve, por jo krejtësisht; prapë diskutohet mbi GNU-në dhe software-in e lirë dhe njerëzit prapë kanë gjasa ta ndeshin. Kur kjo ndodh, lexuesi ka më tepër gjasa ta drejtojë vëmendjen nga të dhënat mbi GNU-në (në faktin që është vepër e një fushate për liri dhe bashkësi), nëse e di se është përdorues i sistemit GNU.

Parë në shtrirje kohore, quajtja e sistemit “GNU/Linux” përhap ndërgjegjësimin mbi idealet e lirisë për të cilat ne zhvilluam sistemin GNU. Është po ashtu e dobishme si kujtues për njerëzit në bashkësinë tonë që kanë dijeni për këto ideale, në një botë ku mjaft nga diskutimi mbi software-in e lirë i nënshtrohet një trajtimi krejtësisht praktik (e prandaj edhe të pamoral). Kur ju kërkojmë ta quani sistemin “GNU/Linux“, ju kërkojmë të ndihmoni në ndërgjegjësimin e publikut mbi idealet e software-it të lirë.