PBR mbi GNU/Linux-in
nga Richard StallmanKur njerëzit shohin se ne përdorim dhe këshillojmë emrin GNU/Linux për një sistem që mjaft të tjerë thjesht e quajnë “Linux”, atyre u lindin shumë pyetje. Ja pyetjet e bëra rëndom, si dhe përgjigjet tona.
Tryeza e Lëndës
- Pse e quani sistemin që përdorim GNU/Linux dhe jo Linux?
- Pse emri është i rëndësishëm?
- Cila është marrëdhënia e njëmendtë mes GNU-së dhe Linux-it
- Si ndodhi që shumica e njerëzve e quan sistemin “Linux”
- Duhet përherë të themi “GNU/Linux” në vend se “Linux”
- A do të kish arritur Linux-i të njëjtin sukses po të mos kish pasur fare GNU?
- Nuk do të qe më mirë për bashkësinë nëse nuk do t’i përçanit njerëzit me këtë kërkesë?
- A nuk e përkrah projekti GNU të drejtën e fjalës së lirë të dikujt që ta quajë sistemin me çfarëdo emri që ai zgjedh?
- Meqë kushdo e njeh rolin e GNU-së në zhvillimin e sistemit, ka nevojë që “GNU/” të thuhet patjetër te emri?
- Ngaqë e di rolin e GNU-së në sistem, pse ka rëndësi çfarë emri përdor?
- A s’është shkurtimi i “GNU/Linux” në “Linux” njësoj si shkurtimi i “Microsoft Windows” në “Windows”?
- A s’është GNU-ja një koleksion mjetesh programimi që u përfshinë në Linux?
- Ç’ndryshim ka mes një sistemi operativ dhe një kerneli?
- Kerneli i një sistemi është si themelet e shtëpisë. Si mund të jetë thuajse e mbaruar një shtëpi që nuk ka themele?
- A s’është kerneli truri i sistemit?
- A s’është shkrimi i kernelit pjesa dërrmuese e punës për një sistem operativ?
- Një sistem operativ lyp një kernel. Meqë Projekti GNU s’zhvilloi ndonjë kernel, si mund të jetë sistemi GNU?
- Si mund të jetë GNU-ja një sistem operativ, nëse nuk marr dot dhe instaloj diçka të quajtur “GNU”?
- Po e thërrasim një sistem të tërë me emrin e kernelit, Linux. A s’është normale të thirret një sistem operativ me emrin e kernelit?
- A mundet një sistem tjetër të japë “ndjesitë e Linux-it”
- Puna te “GNU/Linux” është që është shumë i gjatë. Po sikur të këshillonit një emër më të shkurtër?
- Po sikur sistemi të quhej “GliNUx” (në vend se “GNU/Linux”)?
- Problemi me “GNU/Linux” është se është shumë i gjatë. Pse duhet t’i hap punë vetes për të thënë “GNU/”?
- Fatkeqësisht, “GNU/Linux” është katër rrokje. Njerëzit nuk kanë për të përdorur një term kaq të gjatë. Mos do të duhej të gjeni një më të shkurtër?
- Stallman-i s’na kërkon ta thërrasim “Richard Matthew Stallman” çdo herë. Pse ju na kërkoni të themi “GNU/Linux” çdo herë?
- Meqë Linux-i është kontribut dytësor, a nuk do të ishte kundër fakteve që sistemi të quhej thjesht “GNU”?
- Do të më duhet të paguaj ndonjë tarifë, po qe se përdor “Linux” në emrin e një produkti dhe kjo do të ndodhte edhe nëse them “GNU/Linux”. A është gabim të përdor vetëm “GNU” pa “Linux”, që t’i shpëtoj tarifës?
- Te sistemi, ashtu si është sot, kanë kontribuar mjaft projekte të tjerë; në ta përfshihen TeX, X11, Apache, Perl dhe mjaft programe të tjerë. A nuk i bie, sipas argumentimit tuaj, që të përmenden edhe këta? (Po kjo do të shpinte në një emër kaq të gjatë sa do të ishte pa kuptim.)
- systemd luan një rol të rëndësishëm në sistemin GNU/Linux, ashtu si është ky sot, a e kemi për detyrë ta quajmë GNU/systemd/Linux?
- Te sistemi, ashtu si është ai sot, dhanë ndihmesë mjaft projekte të tjera, por ata nuk ngulin këmbë të quhet XYZ/Linux. Pse duhet trajtuar veçan GNU-ja?
- GNU-ja është një pjesë e vogël e sistemit sot, ndaj pse u dashka që ta përmendim?
- Te sistemi, ashtu si është ai sot, kanë kontribuar mjaft shoqëri; a nuk do të thotë kjo që e kemi për detyrë ta quajmë GNU/Red Hat/Novell/Linux?
- Pse e shkruani “GNU/Linux” në vend se “GNU Linux”?
- A ka GNU-ja versionin e vet të Linux-it, kernelin?
- Si shqiptohet emri “GNU/Linux”?
- Pse e shkruani “GNU Emacs” dhe jo “GNU/Emacs”?
- Pse “GNU/Linux” dhe jo “Linux/GNU”?
- Zhvilluesit e shpërndarjes time e quajnë “Aksh Linux”, por kjo s’tregon asgjë mbi çka përbëhet sistemi. Pse të mos e quajnë si të duan?
- Shpërndarja ime quhet “Aksh Linux”; a nuk duket që është vërtet Linux?
- Emri zyrtar i shpërndarjes sime është “Aksh Linux”; a nuk është gabim të thirret shpërndarja ndryshe nga “Aksh Linux”?
- A nuk do të ishte më me efekt t’u kërkohej shoqërive si Mandrake, Red Hat dhe IBM t’i quajnë shpërndarjet e tyre “GNU/Linux”, në vend se t’u kërkohet individëve?
- A s’do të ishte më mirë të ruhej emri “GNU/Linux” për shpërndarje që janë puro software i lirë? Tek e fundit, ky është ideali i GNU-së.
- Pse të mos krijohet një shpërndarje GNU e Linux-it (sic) dhe të quhet GNU/Linux?
- Pse të mos thuhet thjesht “Linux është kerneli i GNU-së” dhe të hidhet në qarkullim ndonjë version ekzistues i GNU/Linux-it nën emrin “GNU”?
- A e ka dënuar dhe kundërshtuar Projekti GNU përdorimin e Linux-it në fillimet e tij?
- Pse pritët kaq gjatë përpara se t’u kërkonit njerëzve të përdorin emrin GNU/Linux?
- Nuk do të duhej që emërtimi i llojit GNU/emër të zbatohej te krejt programet që janë nën GPL?
- Meqë mjaft nga GNU-ja vjen prej Unix-it, mos do të duhej që GNU-ja t’i jepte hakun Unix-it duke përdorur “Unix” te emri i vet?
- A nuk duhet të themi “GNU/BSD” po njësoj?
- Nëse i instaloj mjetet GNU në Windows, mos do të thotë që po xhiroj një sistem GNU/Windows?
- A s’mund të përdoret Linux-i pa GNU-në?
- Sa përqind sistem GNU lypset që një sistem të jetë GNU/Linux?
- A ka sisteme të plotë Linux [sic] pa GNU-në?
- Është e saktë të thuhet “përdorim Linux-i”, kur kjo i referohet përdorimit të GNU/Linux-it dhe përdorimit të Android-it?
- Pse të mos thirret sistemi “Linux” sido qoftë dhe t’i mëshohet rolit të Linus Torvalds-it si "fytyra për poster" e bashkësisë sonë?
- A s’është gabim për ne ta quajmë punën e Linus Torvalds-it si GNU?
- A pajtohet Linus Torvalds me idenë se Linux është thjesht kerneli?
- Pse të mos përfundohet kerneli GNU Hurd, të hidhet në qarkullim sistemi GNU si një i tërë dhe të harrohet çështja se çfarë të quhet GNU/Linux?
- Beteja është tashmë e humbu—shoqëria e ka vendosur dhe ne nuk mund ta ndryshojmë, ndaj pse madje ta çojmë mendjen atje?
- Shoqëria e ka vendosur dhe ne nuk mund ta ndryshojmë, ndaj ç’të mirë sjell edhe po të them “GNU/Linux“?
- A nuk do të ishte më mirë që quhej sistemi “Linux” dhe t’u mësohej njerëzve origjina e njëmendtë e tij përmes një shpjegimi dhjetëminutësh?
- Ca persona qeshin me ju kur u kërkoni ta quajnë sistemin GNU/Linux. Pse ia nënshtroni veten këtij trajtimi?
- Ca persona ju dënojnë kur u kërkoni ta quajnë sistemin GNU/Linux. A nuk humbni duke i tëhuajsuar ata?
- Pavarësisht nga ajo që keni kontribuar, a është e ligjshme të riemërtohet sistemi operativ?
- A s’është gabim t’i detyrosh njerëzit ta quajnë sistemin “GNU/Linux”?
- Pse të mos paditen njerëzit që e quajnë krejt sistemin “Linux”?
- Meqë ju kundërshtuat domosdoshmërinë e përmendjes së Universitetit të Kalifornisë sipas licencës origjinale BSD, a nuk është hipokrizi të kërkohet përmendja e projektit GNU?
- Mos vallë duhet vënë diçka te GNU GPL t’u kërkojë njerëzve ta quajnë sistemin “GNU”?
- Meqë dështuat të vendosnit diçka te GNU GPL-ja për t’u kërkuar njerëzve ta quajnë sistemin “GNU”, mirë t’ju bëhet; pse ankoheni tani?
- Mos do të ishte më mirë të mos i dilnit kundër asaj çka shumë vetë e besojnë?
- Meqë shumë vetë e quajnë “Linux”, a s’e bën kjo të drejtë?
- A s’është më mirë të quhet sistemi me emrin që e njohin shumica e përdoruesve?
- Mjaft vetë janë të ndjeshëm mbi çka është e leverdishme apo se kush po fiton, jo rreth argumenteve të drejtë apo të gabuar. A nuk mund ta përthithni mbështetjen e tyre përmes një rruge tjetër?
- Pse e quani GNU/Linux dhe jo Linux? (#why)
- Shumica e sistemeve operativë të bazuar në Linux si kernel janë në thelb
versione të ndryshuara të sistemit operativ GNU. E filluam zhvillimin e
GNU-së më 1984, vite përpara se Linus Torvalds të fillonte shkrimin e
kernelit të vet. Qëllimi ynë qe të zhvillonim një sistem operativ tërësisht
të lirë. Sigurisht, nuk i hartuam vetë të tëra pjesët—por ama
udhëhoqëm. Zhvilluam shumicën e përbërësve qendrorë, duke formuar kështu
kontributin më të madh si njësi më vete te krejt sistemi. I yni qe edhe
përfytyrimi bazë.
Pa hile, të paktën duhet të përmendemi njësoj.
Për më tepër shpjegime, shihni Linux-i dhe Sistemi GNU dhe Përdorues të GNU-së Që Nuk Kanë Dëgjuar Kurrë Për GNU-në dhe Projekti GNU, për historikun.
- Pse ka rëndësi emri? (#whycare)
- Edhe pse zhvilluesit e Linux-it, kernelit, kanë dhënë ndihmesë te bashkësia
e software-it të lirë, shumëve prej tyre nuk u bëhet vonë për lirinë.
Njerëzit që mendojnë se krejt sistemi është Linux priren të ngatërrohen dhe
t’u japin këtyre zhvilluesve një rol në historinë e bashkësisë sonë, rol që
nuk e kanë luajtur. Mandej u japin peshë të shpërpjesëtuar ideve të këtyre
zhvilluesve.
Duke e quajtur sistemin GNU/Linux pranohet roli që idealizmi ynë luajti në krijimin e bashkësisë sonë dhe ndihmohet publiku të pranojë rëndësinë praktike të këtyre idealeve.
- Cila është marrëdhënia e vërtetë mes GNU-së dhe Linux-it? (#what)
-
Sistemi operativ GNU dhe kerneli i quajtur Linux janë projekte software të ndarë nga njëri-tjetri, që plotësojnë punën e njëri-tjetrit. Zakonisht gjenden të paketuar në një shpërndarje GNU/Linux dhe përdoren së bashku.
- Si ndodhi që shumica e njerëzve e quan sistemin “Linux”? (#howerror)
- Ta quash sistemin “Linux” është ngatërrim që u përhap më shpejt se sa
informacioni i saktë.
Njerëzit që ndërthurën Linux-in me sistemin GNU nuk qenë të vetëdijshëm se kaq qe veprimtaria e tyre. Ata u përqendruan te pjesa që qe Linux dhe nuk kuptuan se më shumë te ndërthurja qe GNU. Filluan ta quanin “Linux” edhe pse ai emër s’i shkonte për shtat asaj çka kishin. Na u deshën disa vjet që të kuptonim se ku qe problemi këtu dhe t’u kërkonim njerëzve ta ndreqnin këtë praktikë. Në atë kohë, ngatërrimi pat filluar duke qenë më para.
Shumica e njerëzve që e quajnë sistemin “Linux” s’kanë dëgjuar kurrë pse kjo s’është gjëja e saktë. Panë të tjerë që e përdornin këtë emër dhe e morën të mirëqenë që duhej të ishte i saktë. Emri “Linux” përhap gjithashtu një pamje të rreme mbi origjinën e sistemit, ngaqë njerëzit priren të hamendësojnë se historiku i sistemit qe i tillë që emri t’i përshtatej. Fjala vjen, ata shpesh besojnë se zhvillimi i tij zuri fill me Linus Torvalds-in më 1991. Kjo pamje e rreme priret të përforcojë idenë se sistemi do të duhej quajtur “Linux”.
Mjaft nga pyetjet këtu përfaqësojnë përpjekjet e njerëzve për të përligjur emrin që janë mësuar të përdorin.
- Duhet përherë të themi “GNU/Linux” në vend se “Linux”? (#always)
-
Jo përherë—vetëm kur flisni mbi sistemin si i tërë. Kur i referoheni
veçan kernelit, duhet ta quani “Linux”, me emrin që i zgjodhi programuesi.
Kur njerëzit e quajnë krejt sistemin “Linux”, në fakt quajnë tërë sistemin me emrin e kernelit. Kjo shkakton shumë lloje ngatërrimi, ngaqë vetëm ekspertët mund të tregojnë nëse një pohim ka të bëjë me kernelin apo me krejt sistemin. Duke e quajtur krejt sistemin “GNU/Linux” dhe kernelin “Linux”, shmangni dykuptimësinë.
- A do të kish arritur Linux-i të njëjtin sukses po të mos kish pasur fare GNU? (#linuxalone)
-
Në atë botë alternative, sot nuk do të kishte asgjë të ngjashme me sistemin
GNU/Linux dhe ndoshta fare sistem operativ të lirë. Askush nuk u përpoq të
krijonte një sistem operativ të lirë gjatë viteve ’80, hiq Projektin GNU dhe
(më pas) Berkeley CSRG, të cilit i qe kërkuar shprehimisht nga Projekti GNU
të fillonte e ta bënte kodin të lirë.
Linus Torvalds ka qenë ndikuar pjesërisht nga një fjalim mbi GNU-në në Finlandë më 1990. Është e mundur që edhe pa këtë ndikim ta kish shkruar kernelin e ngjashëm me Unix, por ndoshta mund të mos kish qenë software i lirë. Linux-i u bë i lirë më 1992 kur Linus e rihodhi në qarkullim nën GNU GPL. (Shihni shënime versioni për versionin 0.12.)
Edhe sikur Torvalds ta kish hedhur në qarkullim Linux-in nën ndonjë licencë tjetër për software të lirë, vetëm një kernel i lirë nuk do të kish sjellë ndonjë ndryshim kushedi në botë. Rëndësia e Linux-it rrodhi prej vendit që zinte në një kuadër më të gjerë pune, një sistem operativ krejtësisht të lirë: GNU/Linux.
- Nuk do të qe më mirë për bashkësinë nëse nuk do t’i përçanit njerëzit me këtë kërkesë? (#divide)
-
Kur u kërkojmë njerëzve të thonë “GNU/Linux”, nuk po përçajmë njerëzit. Po
u kërkojmë t’i njohin hakun Projektit GNU për sistemin operativ GNU. Kjo
nuk është kritikë për ndonjë, e as hedhje tutje e dikujt.
Sidoqoftë, ka njerëz të cilëve nuk u pëlqen kjo që themi. Ndonjëherë këta, si kundërpërgjigje, na shtyjnë tej. Ka raste që janë kaq të vrazhdët sa dikush pyet veten nëse këta me qëllim po përpiqen të na trembin e të na bëjnë të heshtim. Gojën nuk na e mbyllin dot, por bashkësisë ia japin një krisje, ndaj shpresojmë që të arrini t’i bindni të reshtin së bëri kështu.
Sidoqoftë, ky është shkak vetëm dytësor përçarjeje në bashkësinë tonë. Përçarja më e madhe te bashkësia është mes njerëzve që e vlerësojnë software-in e lirë si çështje shoqërore dhe etike dhe e konsiderojnë software-in pronësor një problem shoqëror (mbështetësit e lëvizjes për software të lirë) dhe ata që përmendin vetëm përfitimet praktike dhe e paraqesin software-in e lirë vetëm si model të efektshëm zhvillimi (lëvizja për burim të hapët).
Ky mospajtim nuk është thjesht punë emrash—është punë ndarjeje për hir të vlerave bazë. Është thelbësore për bashkësinë ta shohë dhe të mendohet rreth këtij mospajtimi. Emrat “ software i lirë” dhe “burim i hapët” janë simbolet e dy kampeve. Shihni Pse Burimi i Hapur nuk e rrok thelbin e Software-it të Lirë.
Mospajtimi mbi vlerat shkon pjesërisht në një vijë me vëmendjen që njerëzit i kushtojnë rolit të Projektit GNU te bashkësia jonë. Njerëzit që çmojnë lirinë, ka më shumë të ngjarë ta quajnë sistemin “GNU/Linux” dhe njerëzit që mësojnë se sistemi është “GNU/Linux”, ka më tepër gjasa t’i kushtojnë vëmendje argumenteve tanë filozofikë mbi lirinë dhe bashkësinë (çka shpjegon pse zgjedhja e emrave të sistemit shpie në një ndryshim të njëmendtë për shoqërinë). Sidoqoftë, mospajtimi ndoshta do të ekzistonte edhe nëse gjithkush do ta dinte origjinën e njëmendtë të sistemit dhe emrin e tij të saktë, ngaqë problemi është i njëmendtë. Ky problem mund të reshtë vetëm nëse ne që çmojmë lirinë, bindim gjithkënd (çka s’do të jetë e lehtë), ose na mundin plotësisht (le të shpresojmë se jo).
- A nuk e përkrah projekti GNU të drejtën e fjalës së lirë të dikujt që ta quajë sistemin me çfarëdo emri që ai zgjedh? (#freespeech)
-
Po, vërtet, besojmë se keni të drejtën tuaj të fjalës së lirë ta quani sistemin operativ me çfarëdo emri që doni. U kërkojmë njerëzve ta quajnë GNU/Linux në frymën e të dhënit hak projektit GNU, për të nxitur vlerat e lirisë të cilat nënkuptohen me GNU-në dhe për t’u bërë të ditur të tjerëve që sistemin e pollën këto vlera të lirisë.
- Meqë kushdo e njeh rolin e GNU-së në zhvillimin e sistemit, ka nevojë që të thuhet patjetër “GNU/”-ja te emri? (#everyoneknows)
- Përvoja tregon se përdoruesit e sistemit dhe publiku përdorues i kompjuterit
përgjithësisht, shpesh s’di asgjë rreth sistemit GNU. Shumica e artikujve
rreth sistemit s’e përmendin emrin “GNU”, ose idealet që përfaqëson GNU-ja.
Kjo trajtohet më gjerë te Përdorues GNU Që Nuk Kanë
Dëgjuar Kurrë Për GNU-në.
Njerëzit që e thonë këtë ndoshta janë “geeks”, me të tjerë geeks-a në mendje. Geeks-at shpesh kanë dijeni mbi GNU-në, por shumë prej tyre kanë një ide plotësisht të gabuar mbi atë çka është GNU-ja. Sa për shembull, mjaft prej tyre mendojnë se është një koleksion “mjetesh”, ose një projekt për zhvillim mjetesh.
Fjalët e përdorura në këtë pyetje, çka është tipike, ilustrojnë një tjetër keqkuptim. Të flasësh për “rolin e GNU-së” në zhvillimin e diçkaje nënkupton që GNU-ja është një grup njerëzish. GNU-ja është një sistem operativ. Mund të kish kuptim të flitej rreth rolit të Projektit GNU në këtë apo në atë veprimtari, por jo në atë të GNU-së.
- Ngaqë e di rolin e GNU-së në sistem, pse ka rëndësi çfarë emri përdor? (#everyoneknows2)
-
Po qe se fjalët tuaja nuk pasqyrojnë dijet tuaja, s’u mësoni gjë të tjerëve. Shumica e njerëzve që kanë dëgjuar për sistemin GNU/Linux mendojnë se është “Linux”, që zuri fill me Linus Torvalds-in dhe se qe menduar të ishte me “burim të hapur”;. Nëse nuk ua thoni ju, kush do t’ua thotë?
- A s’është shkurtimi i “GNU/Linux”-it në “Linux” njësoj si shkurtimi i “Microsoft Windows”-it në “Windows”? (#windows)
-
Është i dobishëm shkurtimi i emrave që përdoren shpesh, por jo kur shkurtimi
të ngatërron.
Në vendet e zhvilluara, thuajse gjithkush e di vërtet që sistemi “Windows” është bërë nga Microsoft-i, kështu që shkurtimi nga “Microsoft Windows“ në “Windows” nuk ngatërron njeri lidhur me natyrën dhe origjinën e atij sistemi. Shkurtimi i “GNU/Linux-it” në “Linux” jep ide të gabuar lidhur me se nga rrjedh sistemi.
Vetë pyetja është ngatërruese, ngaqë GNU dhe Microsoft nuk janë nga i njëjti lloj gjërash. Microsoft është një shoqëri; GNU është një sistem operativ.
- A s’është GNU një koleksion mjetesh programimi që u përfshinë në Linux? (#tools)
-
Njerëzit që mendojnë se Linux-i është një sistem operativ i plotë, po qe se
dëgjojnë gjë për GNU-në, shpesh përftojnë një ide të gabuar rreth se çka
është GNU-ja. Mund të mendojnë që GNU-ja është emri i një koleksioni
programesh—thonë shpesh “mjete programimi”, ngaqë disa prej mjeteve
tona për programim u bënë vetë popullore. Ideja se “GNU” është emri i një
sistemi operativ nuk hyn lehtë në një kuadër konceptual pune te i cili ai
sistem operativ është quajtur “Linux”.
Projekti GNU u quajt kështu për shkak të sistemit operativ GNU—është projekti për zhvillimin e sistemit GNU. (Shihni njoftimin fillestar të 1983-it.)
Zhvilluam programe të tillë si GCC, GNU Emacs, GAS, GLIBC, BASH, etj., ngaqë na duheshin për sistemin operativ GNU. GCC, GNU Compiler Collection është përpiluesi që shkruam për sistemin operativ GNU. Ne, gjithë ata persona që punuan në Projektin GNU, hartuan edhe Ghostscript, GNUCash, GNU Chess dhe GNOME për sistemin GNU.
- Ç’ndryshim ka mes një sistemi operativ dhe një kerneli? (#osvskernel)
-
Një sistem operativ, ashtu si e përdorim termin, do të thotë një koleksion
programesh që janë të mjaftueshëm për të përdorur kompjuterin për kryerje
shumë punësh të ndryshme. Një sistem operativ i përgjithshëm, që të jetë i
plotë, duhet të përmbushë krejt detyrat që u duhet të kryejnë një numri sa
më të madh përdoruesish.
Kerneli është njëri nga programet e një sistemi operativ—programi që u shpërndan mundësitë e makinës programeve të tjera që xhirohen. Kerneli kujdeset gjithashtu për nisjen dhe ndalimin e programeve të tjera.
Si për t’i ngatërruar gjërat, disa njerëz e përdorin termin “sistem operativ” për të nënkuptuar “kernelin”. Të dy përdorimet e termit i kanë rrënjët thellë në vite. Përdorimi i “sistemit operativ” për të nënkuptuar “kernelin” gjendet në një numër librash shkollorë mbi konceptimin e sistemeve, që herët në vitet ’80. Në të njëjtën kohë, gjatë viteve ’80, “sistemi operativ Unix” kuptohej se përfshinte krejt programet e sistemit dhe versioni Unix i Berkeley-t përfshinte madje dhe lojëra. Ngaqë synonim që GNU të ishte sistem operativ i ngjashëm me Unix, e përdorim termin “sistem operativ” në të njëjtën mënyrë.
Shumicën e kohës kur njerëzit flasin për “sistemin operativ Linux” e përdorin togfjalëshin “sistem operativ” në të njëjtin kuptim që e përdorim dhe ne: nënkuptojnë me të koleksionin e plotë të programeve. Po qe se kjo është ajo të cilës i referoheni, ju lutemi, quajeni “GNU/Linux”. Po qe se e kishit fjalën vetëm për kernelin, atëherë “Linux” është emri i saktë për të, por ju lutemi, thoni “kerneli” po ashtu, për të shmangur dykuptimësinë lidhur se për cilën pjesë software-i e keni fjalën.
Po qe se për koleksionin e plotë të programeve parapëlqeni përdorimin e disa termave të tjerë, të tillë si “shpërndarje sistemi”, në vend të “sistemit operativ”, asnjë problem. Në raste të tilla, do të flitnit për shpërndarje sistemi GNU/Linux.
- Kerneli i një sistemi është si themelet e shtëpisë. Si mund të jetë thuajse e mbaruar një shtëpi që nuk ka themele? (#house)
-
Kerneli nuk krahasohet me themelet e një banese, ngaqë ndërtimi i një
sistemi operativ nuk i ngjan ndërtimit të një banese.
Një ndërtesë krijohet nga shumë pjesë të vogla të përgjithshme që i presin e i vënë tok in situ. Duhen vënë tok nga poshtë lart. Ndaj, po qe se nuk janë ndërtuar themelet, nuk ndërton dot ndonjë pjesë thelbësore; ajo çka keni, është një gropë në terren.
Përkundrazi, një sistem operativ përbëhet nga përbërës të ndërlikuar që mund të zhvillohen në çfarëdo radhe. Pasi të keni krijuar shumicën e përbërësve, shumica e punës është kryer. Më shumë i ngjan Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, se sa një banese. Nëse shumica e moduleve të Stacionit Hapësinor qenë në orbitë por po pritej për një modul tjetër thelbësor, kjo do t’i ngjante sistemit GNU më 1992.
- A s’është kerneli truri i sistemit? (#brain)
-
Një sistem kompjuterik nuk i ngjan shumë një trupi njerëzor dhe asnjë pjesë e tij nuk luan ndonjë rol të krahasueshëm me atë të trurit te qenia njerëzore.
- A s’është shkrimi i kernelit pjesa dërrmuese e punës për një sistem operativ? (#kernelmost)
-
Jo, shumë përbërës duan mjaft punë.
- Një sistem operativ e ka të domosdoshëm një kernel. Meqë Projekti GNU s’zhvilloi ndonjë kernel, si mund të jetë sistemi GNU?(#nokernel)
-
Njerëzit që shprehen kështu për quajtjen e sistemit “Linux”, përdorin një
standard të dyfishtë. Një sistem operativ lyp përpilues, përpunues, sisteme
dritaresh, librari dhe shumë të tjera — qindra programe, qoftë edhe
për të qenë në një shkallë me atë që sistemet BSD përfshinin më 1983-shin.
Ngaqë Torvalds nuk zhvilloi ndonjë prej tyre, si mund të jetë sistemi
“Linux”?
Ai standard është shumë strikt, jo rruga e duhur për të gjykuar kontributet e cilitdo kontribues.
Linus Torvalds dha një kontribut të rëndësishëm në sistemin operativ që përdorim; Projekti GNU filloi më herët dhe kontribuoi shumë më tepër. Emri “GNU/Linux” i jep hakën secilit.
- Si mund të jetë GNU-ja një sistem operativ, nëse nuk marr dot dhe instaloj diçka të quajtur “GNU”? (#notinstallable)
-
Ka të gatshme mjaft versione të paketuara
dhe të instalueshme të GNU-së. Asnjë prej tyre nuk është quajtur
thjesht “GNU”, por GNU është ajo çka ata janë në thelb.
Pritej që të hidhnim në qarkullim sistemin GNU të paketuar për instalim, por ky plan doli nga loja për shkakt të ngjarjeve: më 1992 të tjerë persona po paketonin tashmë variante GNU që përmbanin Linux. Duke filluar nga 1993 ne sponsorizuam një përpjekje për të krijuar një shpërndarje më të mirë dhe më të lirë GNU/Linux, të quajtur Debian GNU/Linux. Themeluesi i Debian-it e kish zgjedhur tashmë atë emër. Nuk i kërkuam ta quante thjesht “GNU”, ngaqë ai do të ishte emri i një versioni të sistemit me kernelin GNU Hurd—i cili ende nuk qe gati.
Kerneli GNU Hurd nuk u bë kurrë mjaftueshmërisht gati; ua këshillojmë vetëm atyre që duan të merren me të. Pra, nuk e paketuam kurrë GNU-në me kernelin GNU Hurd. Megjithatë, Debian-i e paketoi këtë ndërthurje si Debian GNU/Hurd.
Tani po merremi me një përgjegjës të përparuar paketimesh me bazë Scheme, të quajtur GUIX dhe një shpërndarje të plotë të bazuar mbi të, të quajtur Guix System Distribution ose GuixSD. Kjo përfshin një ripaketim të një pjese domethënëse të sistemit GNU.
Nuk e kryem kurrë hapin e fundit për paketimin e GNU-së nën emrin “GNU”, por kjo nuk ndryshon gjë rreth asaj se çfarë është GNU-ja. GNU-ja është një sistem operativ.
- Po e thërrasim një sistem të tërë me emrin e kernelit, Linux. A s’është normale të thirret një sistem operativ me emrin e kernelit? (#afterkernel)
-
Kjo praktikë duket të jetë shumë e rrallë—nuk gjejmë dot ndonjë
shembull tjetër, veç keqpërdorimit të emrit “Linux”. Normalisht, një sistem
operativ çohet përpara si një projekt i vetëm, i njësuar dhe zhvilluesit
zgjedhin një emër për sistemin në tërësi. Kerneli zakonisht nuk ka ndonjë
emër të vetin—në vend të tij, njerëzit thonë “kerneli i atij ose
këtij“ ose “kerneli për këtë ose atë“.
Ngaqë këto dy konstruksione përdoren si sinonime, shprehja “kerneli Linux” mund të interpretohet lehtësisht si të thoshte “kerneli i Linux-it” dhe të lërë të kuptohet se Linux-i mund të jetë më tepër se një kernel. Mund ta shmangni mundësinë e këtij keqkuptimi duke thënë ose shkruar “kerneli, Linux-i” ose “Linux-i, kerneli”.
- A mundet një sistem tjetër të japë “ndjesitë e Linux-it”? (#feel)
-
Nuk ka “ndjesi që të jep Linux-i”, ngaqë Linux-i nuk ka ndërfaqe përdoruesi. Si çdo kernel modern, Linux-i është një bazë për xhirim programesh; ndërfaqet e përdoruesit zënë vend tjetër në sistem. Ndërveprimi i njeriut me GNU/Linux-i kalon përherë përmes programesh të tjera dhe “ndjesitë” vijnë prej tyre.
- Problemi me termin “GNU/Linux” është që është shumë i gjatë. Po sikur të këshillonit një emër më të shkurtër? (#long)
-
Për ca kohë provuam emrin “LiGNUx”, që ndërthur fjalët “GNU” dhe “Linux”.
Reagimi qe shumë i hidhët. Njerëzit e pranojnë “GNU/Linux” shumë më mirë.
Emri më i shkurtër i ligjëruar për këtë sistem është “GNU”, por e quajmë “GNU/Linux” për arsyet e dhëna më poshtë.
- Po sikur sistemi të quhej “GliNUx” (në vend se “GNU/Linux”)? (#long1)
-
Te “Glinux”, emri “GNU” s’duket qartë, kështu që shumica e njerëzve s’do ta vinin re. Edhe pse shkruar me të mëdha, si “GliNUx”, shumica e njerëzve s’do ta kapnin dot se përmban një referencë ndaj GNU-së.
Do të ishte sikur të shkruhej “GNU/Linux”, por me “GNU/” me shkronja kaq të vogla saqë shumica e njerëzve s’do ta lexonin dot.
- Problemi me termin “GNU/Linux” është se është shumë i gjatë. Pse duhet t’i hapja punë vetes duke thënë “GNU/”? (#long2)
-
Të thuash apo shtypësh “GNU/”, ha vetëm një sekondë. Nëse e vlerësoni sistemin që ne ndërtuam, a s’mund të shpenzoni një sekondë që të mirënjihet vepra jonë?
- Fatkeqësisht, “GNU/Linux” është katër rrokje. Njerëzit s’kanë për të përdorur një term kaq të gjatë. Mos do të duhej të gjeni një më të shkurtër? (#long3)
Në fakt, “GNU/Linux” përbëhet vetëm nga tre rrokje. “Fatkeqësisht” është katër rrokje, por megjithatë njerëzit nuk tregojnë ngurrim për ta përdorur atë fjalë.
- Stallman-i s’na kërkon ta thërrasim “Richard Matthew Stallman” çdo herë. Pse ju na kërkoni të themi “GNU/Linux” çdo herë? (#long4)
-
Lënia pa përmendur e “Matthew” nuk përfaqëson gabim ndonjë gjë rreth natyrës, origjinës, ideve apo qëllimeve të Stallman-it. Lënia pa përmendur e “GNU”-së s’i përfaqëson këto gjëra rrett sistemit GNU/Linux.
Ky është një shembull i një mënyre të përdorur shpesh për fshehje diçkaje të pavërtetë: mbulimi i saj brenda një analogjie mashtruese. Një analogji më e mirë do të ishte, “Pse të mos e quajmë Stallman-in ‘Torvalds’?”
- Meqë Linux-i është kontribut dytësor, a nuk do të ish kundër fakteve të quhej sistemi thjesht “GNU”? (#justgnu)
-
Nuk do të shkonte kundër fakteve, por nuk është gjëja më e mirë që mund të
bëhet. Ja arsyet pse e quajmë atë version të sistemit “GNU/Linux” në vend
se thjesht “GNU”:
- Nuk është saktësisht GNU—ka tjetër kernel (po, Linux). Të dallosh GNU/Linux nga GNU është e dobishme.
- Do të ishte jo zotnillëk t’u kërkohet njerëzve të reshtin së dhëni hak Linus Torvalds-it. Ai shkroi një pjesë të rëndësishme të sistemit. Ne duam të na jepet haka për nisjen dhe mirëmbajtjen e zhvillimit të sistemit, por kjo nuk do të thotë që duhet ta trajtojmë Linusin në po atë mënyrë që na trajtojnë ata që e quajnë sistemin “Linux”. Nuk pajtohemi me idetë e tij politike, prerazi, por e trajtojmë këtë mospajtim me ndershmëri dhe haptazi, në vend se të përpiqemi që t’i hamë hakun për kontributin e tij te sistemi.
- Ngaqë mjaft njerëz e njohin sistemin si “Linux”, po të thoshim “GNU” ata thjesht mund të mos kuptojnë që po flasim për të njëjtin sistem. Po të themi “GNU/Linux”, mund ta lidhin këtë me çfarë kanë dëgjuar rreth temës.
- Do të më duhet të paguaj ndonjë tarifë, po qe se përdor “Linux” në emrin e një produkti dhe kjo do të ndodhte edhe nëse them “GNU/Linux”. A është gabim të përdor vetëm “GNU” pa “Linux”, që të shpëtoj nga tarifa? (#trademarkfee)
-
S’ka asgjë të keqe të quhet sistemi “GNU”; hollë-hollë, kjo është çka ai
është. Është bukur t’i jepet Linus Torvalds-it po ashtu një pjesë e hakës,
por nuk keni ndonjë borxh, për ta larë me privilegjin e të bërit kështu.
Pra, nëse doni t’i referoheni sistemit thjesht si “GNU”, për shmangie tarife ngaqë e quani “Linux”, s’do t’ju kritikojmë.
- Te sistemi, ashtu si është sot, kanë kontribuar mjaft projekte të tjerë; në ta përfshihen TeX, X11, Apache, Perl dhe mjaft programe të tjerë. A nuk i bie, sipas argumentimit tuaj, që të përmenden edhe këta? (Po kjo do të shpinte në një emër kaq të gjatë sa do të ishte pa kuptim.) (#many)
-
Ajo çka themi është që e keni për detyrë t’i jepni hakën zhvilluesit
themelor të sistemit. Zhvilluesi kryesor është Projekti GNU dhe sistemi në
thelb është GNU.
Nëse e ndjeni edhe më fort nevojën e dhënies së hakës atje ku duhet, mund të mbani parasysh që edhe disa kontribues dytësorë po ashtu meritojnë të përmenden në emrin e sistemit. Po qe kështu, mos na ardhtë radha të ngrihemi kundër kësaj. Nëse keni përshtypjen se X11 meriton hakë në emrin e sistemit dhe dëshironi ta quani sistemin GNU/X11/Linux, ashtu qoftë. Nëse keni përshtypjen se Perl thjesht thërret për përmendje dhe doni të shkruani GNU/Linux/Perl, jepini.
Ngaqë një emër i gjatë si GNU/X11/Apache/Linux/TeX/Perl/Python/FreeCiv bëhet i pakuptimtë, në një farë pike do të na duhet të vendosim një prag dhe të lëmë jashtë emrat e mjaft kontributeve të tjerë dytësorë. Nuk ka ndonjë vend të saktë të vetëkuptueshëm për vendosjen e pragut, ndaj kudo që ta vendosni, nuk kemi për ta kundërshtuar.
Nivele të ndryshëm pragu do të shpinin në zgjedhje të ndryshme për emrin e sistemit. Por një emër që nuk rrjedh nga shqetësimet mbi të qenët i paanshëm dhe për dhënien e hakës të zotit, për asnjë nivel pragu, është “Linux”. Nuk mund të jetë paanësi dhënia e krejt hakës njërit prej kontributeve dytësorë (Linux), ndërkohë që lihet jashtë kontributi parësor (GNU).
- systemd luan një rol të rëndësishëm në sistemin GNU/Linux, ashtu si është ky sot, a e kemi për detyrë ta quajmë GNU/systemd/Linux? (#others)
-
systemd është një përbërës jo pak i rëndësishëm, por jo aq i rëndësishëm sa kerneli (Linux-i), as edhe aq i rëndësishëm sa baza e sistemit në tërësi (GNU-ja). Sidoqoftë, nëse doni të vini theksin te prania e systemd-së, duke e quajtur sistemi “GNU/systemd/Linux”, s’ka asgjë të keqe të bëhet kështu.
- Te sistemi, ashtu si është ai sot, kontribuan mjaft projekte të tjera, por ata nuk ngulin këmbë të quhet XYZ/Linux. Pse duhet trajtuar veçan GNU-ja? (#others)
-
Mijëra projekte kanë zhvilluar programe të përfshirë rëndom në sistemet e
sotme GNU/Linux. Ato të gjitha e kanë hak të përmenden për kontributin, por
nuk janë zhvillues kryesorë të sistemit si i tërë, ndaj nuk kërkojnë të
përmenden si të tillë.
GNU është ndryshe ngaqë është më shumë se sa thjesht një program i kontribuar nga dikush, më tepër se sa një koleksion programesh të kontribuar nga disa. GNU është kuadri i punës në të cilin sistemi u ndërtua.
- GNU-ja është një pjesë e vogël e sistemit sot, atëherë pse u dashka që ta përmendim? (#allsmall)
-
Më 2008-n, pamë se paketat GNU përbënin 15% të depos “kryesore” të
shpërndarjes GNU/Linux gNewSense. Linux-i përbënte 1.5%. Ndaj i njëjti
argument do të duhej zbatuar, edhe më me forcë, në rastin e emërtimit
“Linux”.
GNU-ja është një pjesë e vogël e sistemit sot dhe Linux është pjesë akoma më e vogël. Por janë thelbi i sistemit; sistemi doli nga ndërthurja e tyre. Ndaj, emri “GNU/Linux” mbetet i përshtatshëm.
- Te sistemi, ashtu si është ai sot, kanë kontribuar mjaft shoqëri; a nuk do të thotë kjo që e kemi për detyrë ta quajmë GNU/Red Hat/Novell/Linux? (#manycompanies)
-
GNU-ja nuk është i krahasueshëm me Red Hat-in apo Novell-in; nuk është shoqëri, apo ent, apo madje as veprimtari. GNU-ja është një sistem operativ. (Kur flasim për Projektin GNU, e kemi fjalën për projektin e zhvillimit të sistemit GNU.) Sistemi GNU/Linux bazohet në GNU, e prandaj do të duhej që GNU të dukej te emri i tij.
Shumica e kontributit nga këto shoqëri te sistemi GNU/Linux përbëhet nga kodi që kanë kontribuar te paketa të ndryshme GNU përfshi GCC-në dhe GNOME-n. Të thuash GNU/Linux u jep hakën këtyre shoqërive bashkë me gjithë pjesën tjetër të zhvilluesve të GNU-së.
- Pse e shkruani “GNU/Linux” në vend se “GNU Linux”? (#whyslash)
-
Duke ndjekur rregullat e anglishtes, në sajesën “GNU Linux” fjala “GNU”
modifikon “Linux”. Kjo do të thotë ose “versioni GNU i Linux-it”, ose
“Linux-i, që është një paketë GNU”. Asnjë prej këtyre kuptimeve nuk i shkon
gjendjes që kemi.
Linux-i nuk është paketë GNU; pra, nuk ka qenë zhvilluar nën parzmoren e Projektit GNU apo kontribuar veçanërisht te Projekti GNU. Linus Torvalds-i e shkrojti Linux-in në mënyrë të pavarur, si projekt të vetin. Ndaj “Linux-i, që është një paketë GNU” nuk qëndron.
Nuk po flasim për një version GNU të dallueshëm të Linux-it, kernelit. Shpërndarjet e lira GNU/Linux kanë një version veçmas të Linux-it, ngaqë versioni “standard” përmban “blobs” jo të lirë firmware-i. Nëse kjo do të qe pjesë e Projektit GNU, mund të shihej si “GNU Linux”; por nuk do të donim ta quanim kështu, ngaqë do të ishte shumë ngatërruese.
Po flasim për një version të GNU-së, sistemit operativ, të dallueshëm nga pasja e Linux-it për kernel. Pjerrakja i shërben rastit, ngaqë do të thotë “ndërthurje”. (Kujtoni rastin “Input/Output”.) Është sistemi GNU, me kernelin Linux nën të; prej këndej rrjedh edhe “GNU/Linux”.
Ka mënyra të tjera për të shprehur “ndërthurjen”. Nëse mendoni që shenja plus është më e qartë, ju lutemi, përdoreni. Në frëngjisht, një vijë në mes është e qartë: “GNU-Linux”. Në spanjisht, ndonjëherë themi “GNU con Linux”.
- A ka GNU-ja versionin e vet të Linux-it, kernelin? (#linuxlibre)
-
Po dhe jo. Shpërndarjet e lira GNU/Linux përdorin versione paksa të
ndryshuara të Linux-it, të ndryshuara për të hequr “blobs“ firmware-i jo të
lirë, që përmban hedhja “standarde” në qarkullim e Linux-it. Disa prej tyre
përdorin GNU
Linux-Libre, i cili është versioni i çliruar i Linux-it, ai i Projektit
GNU. Por ky s’është ndonjë degëzim i Linux-it; përkundrazi, është një
version i Linux-it—marrim burimin e çdo hedhjeje standarde në
qarkullim të Linux-it dhe e “çblobëzojmë”.
Shpërndarje të tjera të lira e trajtojnë më vete heqjen e blob-eve nga Linux-i.
- Si shqiptohet emri “GNU/Linux”? (#pronounce)
-
Ju lutemi, shqiptojeni si “GNU pjerrake Linux.” Nëse nuk shqiptoni pjerraken, njerëzit do të mendojnë se po thoni “GNU Linux,”, çka s’është emër i përshtatshëm për kombinimin.
- Pse e shkruani “GNU Emacs” në vend se “GNU/Emacs”? (#whynoslash)
-
Duke ndjekur rregullat e anglishtes, në trajtën “GNU Emacs”, fjala “GNU” modifikon “Emacs”. Kjo është rruga e drejtë për të përshkruar një program të quajtur Emacs i cili është një paketë GNU.
“GNU/Emacs” do të thoshte ndërthurja e GNU-së, sistemit operativ dhe programit Emacs. Kjo nuk mund të thuhet për këtë program, ndaj “GNU/Emacs” është rruga e gabuar për t’iu referuar atij.
- Pse “GNU/Linux” dhe jo “Linux/GNU”? (#whyorder)
-
Është e saktë dhe e drejtë të përmenden kontributi themelor së pari. Kontributi GNU në sistem jo vetëm është më i madh se sa Linux-i dhe para Linux-it, në fakt ne nisëm krejt veprimtarinë.
Veç kësaj, “GNU/Linux”-i pajtohet me faktin që Linux-i është niveli më i ulët i sistemit dhe që GNU-ja plotëson nivele teknikisht më të lartë.
Sidoqoftë, nëse parapëlqeni ta quani sistemin “Linux/GNU”, kaq është shumë më mirë se sa ajo që bëjnë njerëzit zakonisht, çka është lënia krejtësisht jashtë e GNU-së dhe që e bën të duket sikur krejt sistemi është Linux.
- Zhvilluesit e shpërndarjes time e quajnë “Aksh Linux”; por kjo nuk tregon asgjë se prej çfarë përbëhet sistemi. Pse të mos e quanin si t’u pëlqente? (#distronames0)
-
Quajtja e një sistemi “Aksh Linux” nënkupton se është një lloj “Linux”-i dhe
njerëzit kështu e kuptojnë.
Nëse një shpërndarje GNU/Linux do ta quanin “Aksh BSD”, ju do ta merrnit për gabim. Do t’u thonit, “Ky sistem s’është BSD”. Dhe as Linux nuk është.
- Shpërndarja ime quhet “Aksh Linux”; a nuk duket që është vërtet Linux? (#distronames)
-
Do të thotë që njerëzit që krijojnë shpërndarjen “Aksh Linux” po përsërisin gabimin e zakonshëm. Ne e çmojmë faktin që shpërndarje si Debian, Dragora, Musix, Trisquel dhe Venenux kanë birësuar GNU/Linux-in si pjesë të emrit të tyre zyrtar dhe shpresojmë që, nëse merreni me një tjetër shpërndarje, t’i nxisni të bëjnë të njëjtën gjë.
- Emri zyrtar i shpërndarjes sime është “Aksh Linux”; a nuk është gabim të thirret shpërndarja ndryshe nga “Aksh Linux”? (#distronames1)
Kur përhapin informacion të gabuar, duke ndryshuar “GNU” në “Linux” dhe e quajnë versionin e tyre “Aksh Linux”, është e drejtë që ta ndreqni informacionin e gabuar duke e quajtur “Aksh GNU/Linux”.
- A nuk do të ishte më me efekt t’u kërkohej shoqërive si Mandrake, Red Hat dhe IBM t’i quajnë shpërndarjet e tyre “GNU/Linux”, në vend se t’u kërkohet individëve? (#companies)
-
S’bëhet fjalë për të zgjedhur njërin apo tjetrin—u kërkojmë shoqërive,
enteve dhe individëve të ndihmojnë të përhapet fjala mbi këtë. Në fakt, ua
kemi kërkuar të tre këtyre shoqërive. Mandrake u përgjigj se do të përdorte
termin “GNU/Linux” një pjesë të kohës, por IBM-ja dhe Red Hat-i nuk qenë të
gatshme të ndihmonin. Një funksionar u shpreh, “Ky është vendim puro
komercial; presim të fitojmë më tepër para nga emërtimi “Linux””. Me fjalë
të tjera, asaj shoqërie nuk iu bë vonë se çfarë qe e drejtë.
Nuk i bëjmë dot ta bëjnë këtë si duhet, por s’jemi nga ata që heqin dorë, meqë rruga nuk qenkësh e lehtë. Mund të mos keni aq ndikim në dorën tuaj sa IBM-ja apo Red Hat-i, por prapë mund të ndihmoni. Së toku mund ta ndryshojmë gjendjen deri në atë shkallë, sa shoqëritë të fitojnë më shumë para duke e quajtur “GNU/Linux”.
- A s’do të ishte më mirë të ruhej emri “GNU/Linux” për shpërndarje që janë puro software i lirë? Tek e fundit, ky është ideali i GNU-së. (#reserve)
-
Praktika shumë e përhapur e shtimit të software-it jo të lirë te sistemi
GNU/Linux është problem i madh për bashkësinë tonë. Ajo sikur u mëson
përdoruesve se software-i jo i lirë s’është problem dhe se përdorimi i tij
është pjesë e frymës së “Linux”-it. Mjaft Grupe Përdoruesish “Linux” e kanë
pjesë të misionit të tyre ndihmën ndaj përdoruesve, që këta të përdorin
shtojca jo të lira dhe madje edhe të ftojnë shitës për të bërë reklamë.
Këta kanë birësuar qëllime të tilla si “ndihmën ndaj përdoruesve” të
GNU/Linux-it (përfshi ndihmën për ata që të përdorin aplikacione dhe
përudhës jo të lirë), ose popullarizimin edhe më të sistemit, qoftë edhe në
kurriz të lirisë.
Çështja është si të ndryshohet kjo.
Duke qenë se shumica e bashkësisë që përdor GNU-në me Linux prej kohësh nuk e kupton që kjo është çështja, heqja dorë prej nesh nga këto versione të ndotura, duke thënë që nuk janë vërtet GNU, nuk do t’u mësonte përdoruesve ta vlerësonin më tepër lirinë. Mund të mos e merrnin mesazhin e synuar. Vetëm se do të përgjigjeshin se nuk e kishin menduar kurrë që këto sisteme qenë GNU së pari.
Rruga për t’i drejtuar këta përdorues të shohin lidhjen me lirinë është saktësisht e kundërta: t’u bëhet e ditur atyre se krejt këto versione sistemi janë versione të GNU-së, se të tëra bazohen në një sistem që ekziston posaçërisht për hir të lirisë së përdoruesve. Me të kuptuar këtë, mund të fillojnë t’i shohin shpërndarjet që përfshijnë software jo të lirë, si versione të deformuara, të ndotura, të GNU-së, në vend se t’i mendojnë si versione të pastra dhe të përshtatshme të “Linux”-it.
Është shumë e dobishme të fillohen Grupe Përdoruesish GNU/Linux, që e quajnë sistemin GNU/Linux dhe vendosin idealet e Projektit GNU si bazë të veprimtarisë të tyre. Nëse Grupi i Përdoruesve të Linux-it në zonën tuaj ka problemet e përshkruara më sipër, këshillojmë që ose të bëni fushatë brenda grupit për të ndërruar orientimin (dhe emrin) e tij, ose të filloni një grup të ri. Njerëzit që përqendrohen në qëllime më sipërfaqësore kanë të drejtën e tyre të kenë pikëpamje të tyret, por mos i lejoni t’ju marrin me vete!
- Pse të mos krijohet një shpërndarje GNU e Linux-it (sic) dhe të quhet GNU/Linux? (#gnudist)
-
Krejt shpërndarjet “Linux” janë faktikisht versione të sistemit GNU me
Linux-in për kernel. Qëllimi i termit “GNU/Linux” është ta bëjë të ditur
këtë pikë. Të zhvillosh një shpërndarje të re dhe ta quash veçmas
“GNU/Linux” do të errësonte pikën që ne duam të theksojmë.
Sa për zhvillimin e një shpërndarjeje GNU/Linux, e bëmë njëherë, kur financuam zhvillimet e hershme të Debian GNU/Linux-it. Ta bëjmë sërish nuk duket e dobishme; do të donte shumë punë dhe po qe se shpërndarja e re nuk do të kishte përparësi praktike domethënëse ndaj shpërndarjeve të tjera, nuk do t’i shërbente ndonjë qëllimi.
Në vend të kësaj, ne ndihmojmë zhvilluesit e shpërndarjeve GNU/Linux 100% të lira, të tilla si Trisquel dhe Parabola.
- Pse të mos thuhet thjesht “Linux është kerneli i GNU-së” dhe të hidhet në qarkullim ndonjë version ekzistues i GNU/Linux-it nën emrin “GNU”? (#linuxgnu)
-
Mund të kish qenë ide e mirë të birësohej Linux-i si kerneli i GNU-së dikur
më 1992. Sikur ta dinim, atëherë, se sa gjatë do të donte GNU Hurd-i të
funksiononte, mund ta kishim bërë. (Por kësaj i thonë: mend pas kuvendi.)
Po të qe për të marrë një version të GNU/Linux-it dhe ta rietiketojmë si “GNU”, do të qe si të merrnim një version të sistemit GNU dhe ta etiketonim “Linux”. Kjo s’ishte e drejtë dhe s’duam të veprojmë kështu.
- A e ka dënuar dhe kundërshtuar Projekti GNU përdorimin e Linux-it në fillimet e tij? (#condemn)
-
Nuk e birësuam Linux-in si kernel tonin, por nuk e dënuam apo kundërshtuam
atë. Në 1993 filluam të diskutojmë ujditë për të sponsorizuar zhvillimin e
Debian GNU/Linux. Po kërkonim edhe të bashkëpunonim me persona që po
ndryshonin disa paketa GNU për përdorim me Linux. Donim t’i përfshinim
ndryshimet e tyre në qarkullimet standarde, që kështu këto paketa GNU të
mund të funksiononin në çast nën ndërthurje me Linux-in. Por shpesh
ndryshimet qenë ad-hoc dhe të pakalueshme gjetiu; për instalim
kishin nevojë të pastroheshin.
Personat që bënë ndryshimet treguan pak interes për bashkëpunim me ne. Njëri prej tyre, në fakt, na tha se nuk i bëhej vonë të punonte me Projektin GNU sepse qe “përdorues i Linux-it”. Gjë që na ra rëndë, ngaqë personat që kaluan paketat GNU edhe për sisteme të tjerë përgjithësisht donin të punonin me ne për t’i pasur ndryshimet të përfshira në projektin tonë. Megjithatë, këta persona, që po zhvillonin një sistem i cili bazohej së pari në GNU, qenë grupi i parë (dhe, ende, praktikisht të vetmit) që s’dëshironin të punonin me ne.
Qe kjo përvojë që na tregoi së pari se kish persona që po e quanin një version të sistemit GNU “Linux” dhe se ky ngatërrim po pengonte punën tonë. Kërkesa jonë për ta quajtur sistemin “GNU/Linux” është përgjigja jonë për këtë problem dhe për probleme të tjera të shkaktuara nga emërtimi i shtrembër “Linux”.
- Pse pritët kaq gjatë përpara se t’u kërkonit njerëzve të përdorin emrin GNU/Linux? (#wait)
-
Në fakt, nuk pritëm. Rreth kësaj filluam të diskutonim privatisht me zhvilluesit dhe shpërndarësit diku aty nga 1994 dhe kaluam në fushatë publike më 1996. Do të vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
- A nuk do të duhej që emërtimi i llojit GNU/emër të zbatohej te krejt programet që janë nën GPL? (#allgpled)
-
Kurrë nuk u referohemi programeve individualë si “GNU/emër”. Kur një
program është paketë GNU, mund ta quajmë “emër GNU”.
GNU, sistemi operativ, përbëhet nga shumë programe të ndryshme. Disa nga programet në GNU qenë shkruar si pjesë e Projektit GNU ose dhënë veçanërisht për të; këto janë paketat GNU dhe ne shpesh përdorim “GNU” në emrat e tyre.
Është në dorën e zhvilluesve të një programi të vendosin nëse duan ta kontribuojnë dhe ta bëjnë atë një paketë GNU. Nëse keni zhvilluar një program dhe do të donit të jetë paketë GNU, ju lutemi, na shkruani <[email protected]>, që të mund ta vlerësojmë dhe të vendosim nëse e duam.
Nuk do të ishte e drejtë të vihej emri GNU mbi çdo program individual që është hedhur në qarkullim nën GPL. Po qe se shkruani një program dhe e hidhni në qarkullim nën GPL (Leja e Përgjithshme Publike), kjo nuk do të thotë që e shkroi Projekti GNU ose që e shkruat për ne. Fjala vjen, kerneli, Linux-i,qarkullon nën GNU GPL, por Linusi nuk e shkrojti si pjesë të Projektit GNU—e kreu punën në mënyrë të pavarur. Nëse diçka nuk është paketë GNU, Projekti GNU nuk mund të marrë dafinat për të dhe vendosja e “GNU”-së te emri i saj do të ishte e pasaktë.
Në kontrast me këtë, e meritojmë hakun e përgjithshëm për sistemin operativ GNU si të tërë, edhe pse jo për çdo program në të. Sistemi ekziston si sistem falë vendosmërisë dhe këmbënguljes sonë, që prej 1984-s, shumë vite para se të fillonte Linux-i.
Sistemi operativ nën të cilin Linux-i u bë popullor qe në thelb i njëjtë me sistemin operativ GNU. Nuk qe krejtësisht i njëjtë, ngaqë pati tjetër kernel, por në pjesën më të madhe qe i njëjti sistem. Qe një variant i GNU-së. Qe sistemi GNU/Linux.
Linux-i vazhdon të përdoret së pari në derivate të atij sistemi—në versionet e sotme të sistemit GNU/Linux. Ajo që u jep këtyre sistemeve identitetin e tyre është GNU-ja dhe Linux-i në qendër të tyre, jo përjashtimisht Linux-i.
- Meqë mjaft nga GNU-ja vjen prej Unix-it, mos do të duhej që GNU t’i jepte hakun Unix-it duke përdorur “Unix” te emri i vet? (#unix)
-
Në fakt, asgjë e GNU-së nuk rrjedh prej Unix-it. Unix qe software
pronësor (dhe ende është), ndaj përdorimi i çfarëdo kodi prej tij te GNU-ja
do të kish qenë i paligjshëm. Kjo nuk është rastësi; kjo është arsyeja pse
e zhvilluam GNU-në: ngaqë duke përdorur Unix-in, ose cilindo nga sistemet e
tjerë operativë të asaj kohe, nuk do të kihej liri, na duhej një sistem i
lirë për ta zëvendësuar atë. Nuk mund të kopjonim programe, ose madje as
pjesë të tyre, nga Unix-i; gjithçka duhej shkruar nga e para.
Asnjë rresht kodi te GNU nuk vjen prej Unix-it, por GNU-ja është sistem i përputhshëm me Unix-in; ndaj, mjaft nga idetë dhe karakteristikat e GNU-së vijnë prej Unix-it. Emri “GNU”, që do të thotë “GNU’s Not Unix”, është një mënyrë gaztore për t’i dhënë hakën Unix-it për të, në vijim të një tradite hacker-ësh, për shkurtime ripërsëritëse, që zuri fill në vitet ’70.
Shkurtimi i parë ripërsëritës qe TINT, “TINT Is Not TECO”. Autori i TINT-it shkroi një tjetër sendërtim të TECO-s (kish ndërkohë mjaft të tillë, për sisteme të ndryshëm), por në vend që ta quante me një emër të zbehtë si “kështu-ose-ashtu TECO”, i shkoi në mendje një emër zbavitës. (Ky është kuptimi për hacking: mençuri lojcake.)
Hacker-ë të tjerë e pëlqyen kaq shumë emrin sa filluan ta imitojnë stilin. U bë si traditë që, sa herë që shkruanit nga e para një program që qe i ngjashëm me ndonjë program ekzistues (le të themi që e kish emrin “Klever”), t’i jepnit një emër shkurtim ripërsëritës, të tillë si “MINK” për “MINK Is Not Klever”. Në po të njëjtën frymë e quajtëm zëvendësimin tonë për Unix-in “GNU’s Not Unix”.
Historikisht, AT&T, që krijoi Unix-in, nuk donte që ndonjë t’i jepte hakën duke përdorur “Unix” te emri i një sistemi të ngjashëm, as edhe në një sistem 99% të kopjuar nga Unix. AT&T në fakt pat kërcënuar se do të padiste këdo që do t’i jepte hakë AT&T-së në këtë mënyrë. Kjo është arsyeja pse versionet e ndryshme të modifikuara të Unix-it (të tërë pronësorë, si Unix) patën emra krejt të ndryshëm që s’e përfshinin “Unix”-in.
- Mos do të duhej të thoshim njësoj “GNU/BSD”? (#bsd)
-
Nuk i quajmë sistemet BSD (FreeBSD, etj.) sisteme “GNU/BSD”, ngaqë ai term
nuk gjen vend te historia e sistemeve BSD.
Sistemi BSD qe krijuar nga UC Berkeley si software jo i lirë, në vitet ’80 dhe kaloi i lirë në fillim të viteve ’90. Çfarëdo sistemi operativ i lirë që ekziston sot është, thuajse me siguri, ose variant i sistemit GNU, ose ndonjë lloj sistemi BSD.
Njerëzit ndonjëherë pyesin nëse edhe BSD është variant i GNU-së, siç është GNU/Linux. Jo, nuk është. Zhvilluesit e BSD-së patën frymëzimin ta bëjnë kodin e tyre software të lirë nga shembulli i Projektit GNU dhe thirrje shprehimisht prej aktivistësh të GNU-së i ndihmuan t’ia nisin punës, por kodi ka pak puqje me GNU-në.
Sistemet BSD sot përdorin disa paketa GNU, ashtu si edhe sistemi GNU dhe variante të tij përdorin disa programe BSD; sidoqoftë, marrë në tërësi, janë dy sisteme të ndryshëm që kanë bërë përpara ndarazi. Zhvilluesit BSD nuk shkruan ndonjë kernel për t’ia shtuar sistemit GNU, ndaj një emër i tillë si GNU/BSD nuk do t’i shkonte gjërave.
Lidhja mes GNU/Linux-it dhe GNU-së është shumë e ngushtë dhe, për këtë shkak, emri “GNU/Linux” është i përshtatshëm për të.
Ka një version të GNU-së që përdor një kernel nga NetBSD. Zhvilluesit e tij e quajnë “Debian GNU/NetBSD”, por “GNU/kernelofNetBSD” do të ishte më i saktë, ngaqë NetBSD është një sistem i tërë, jo thjesht kerneli. Ky s’është sistem BSD, ngaqë pjesa dërrmuese e sistemit është e njëjtë me sistemin GNU/Linux.
- Nëse i instaloj mjetet GNU në Windows, mos do të thotë që po xhiroj një sistem GNU/Windows? (#othersys)
-
Jo në të njëjtin kuptim që nënkuptojmë me “GNU/Linux”. Mjetet e GNU-së janë thjesht një pjesë e software-it GNU, i cili është thjesht një pjesë e sistemit GNU dhe, nën ta prapë, do të kishit një tjetër sistem operativ të plotë, i cili s’do të kishte të përbashkët me GNU-në as edhe një rresht kod. Përmbledhtas, kjo është gjendje krejt tjetër nga GNU/Linux.
- A s’mund të përdoret Linux-i pa GNU-në? (#justlinux)
-
Linux-i përdoret më vete, ose me programe të tjerë të vegjël, në disa pajisje. Këta sisteme të vegjël software-i janë shumë larg prej të qenit sistem GNU/Linux. Përdoruesit nuk i instalojnë ata në PC-ra, fjala vjen dhe mund edhe të mos iu pëlqejnë. Është e dobishme të thuhet që këto pajisje xhirojnë thjesht Linux, për të treguar se sa të ndryshme janë këto platforma të vogla nga GNU/Linux-i.
- Sa përqind sistem GNU lypset që një sistem të jetë GNU/Linux? (#howmuch)
-
“Sa” është një pyetje pa kuptim, ngaqë sistemi GNU s’ka kufij të përpiktë.
GNU-ja është një sistem operativ i mirëmbajtur nga një bashkësi. Përfshin shumë më tepër gjëra se thjesht paketa software GNU (për të cilat kemi një listë) dhe njerëzit shtojnë vazhdimisht paketa. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, mbetet ende sistemi GNU dhe shtimi i Linux-it në të shpie te GNU/Linux. Nëse përdorni një pjesë të sistemit GNU, duke lënë mënjanë pjesën tjetër, nuk ka ndonjë mënyrë me mend për të thënë se “sa” përdorët.
Nëse e shohim çështjen në nivel paketash, Linux është një paketë e rëndësishme e sistemit GNU/Linux. Përfshirja e një pakete të rëndësishme GNU mjafton për të përligjur kërkesën tonë për përmendje të barasvlershme.
- A ka sisteme të plotë Linux [sic] pa GNU-në? (#linuxsyswithoutgnu)
-
Ka sisteme të plotë që përmbajnë Linux-in dhe jo GNU-në; Androidi është një
shembull. Por është gabim të thirren këta sisteme “Linux”, njësoj siç
është gabim të quhet GNU një sistem “Linux”.
Android-i është sistem shumë i ndryshëm nga sistemi GNU/Linux — ngaqë këta të dy kanë shumë pak kod të përbashkët. Në fakt, e vetmja gjë që kanë të përbashkët është Linux-i.
Nëse e quani sistemin e plotë GNU/Linux “Linux”, keni për të parë se do t’ju nevojitet të thoni gjëra të tilla si, “Android përmban Linux, por s’është Linux, ngaqë s’ka bibliotekat dhe mjetet e zakonshme Linux [sic] [duke nënkuptuar sistemin GNU]”.
Android-i përmban aq Linux, sa GNU/Linux-i. Ajo çka nuk ka, është sistemi GNU. Android-i e zëvendëson atë me software Google që funksion goxha ndryshe. Ajo çka e bën Android-in të ndryshëm nga GNU/Linux-i është mungesa e GNU-së.
- Është e saktë të thuhet “përdor Linux”, nëse bëhet fjalë për përdorim të GNU/Linux-it dhe të Android-it? (#usegnulinuxandandroidlinuxsyswithoutgnu)
-
Aspak. Ky përdorim është kaq problematik sa që njerëzit s’do të kuptojnë
domethënien e synuar.
Publikut do t’i duket shumë e çuditshme të flitet për përdorim të Android-it si “përdorim të Linux-it”. Është si të bisedohet me dikë dhe mandej të thuhet se biseduat me zorrët apo me sistemin e frymëmarrjes së atij personi.
Publiku do ta kuptojë idenë e “të përdorurit të Linux-it”, kur është vërtet GNU/Linux, përmes keqkuptimit të rëndomtë: duke e menduar krejt sistemin si “Linux”.
Përdorimi i Android-it dhe përdorimi i GNU/Linux-it janë tërësisht të ndryshëm, aq të ndryshëm sa lëvizja me automjet dhe lëvizja me një biçikletë. Fakti që dy të parët përmbajnë Linux është pa rëndësi për përdorimin e tyre, ashtu si fakti që një makinë dhe një biçikletë janë struktura metalike nuk ndikon në përdorimin e këtyre të dyjave. Nëse doni të flisni mbi përdorimin e makinave dhe biçikletave, s’do të flisnit rreth “lëvizjeje me objekte metalike” — veç në bëfshi lojëra me lexuesit. Do të thoshit, “përdorim makinash dhe biçikletash”. Po njësoj, rruga e qëruar për të folur rreth përdorimit të GNU/Linux-it dhe Android-it është të thuhet “përdorimi i GNU/Linux-it dhe Android-it”.
- Pse të mos thirret sistemi “Linux”, sido qoftë dhe t’i mëshohet rolit të Linus Torvalds-it si simbol për bashkësinë tonë? (#helplinus)
-
Linus Torvalds është “posteri” (fjalë e zgjedhur nga tjetërkush, jo nga ne)
për qëllimet e tij, jo tonat. Synimi i tij është ta bëjë sistemin më
popullor dhe beson se vlera e këtij për shoqërinë qëndron thjesht te
përparësitë praktike që ofron: fuqia e tij, qëndrueshmëria dhe gjetja e tij
lehtësisht. Ai nuk ka e mbrojtur kurrë lirinë për të bashkëpunuar si një parim
etik, e prandaj publiku s’e lidh emrin e “Linux-it” me atë parim.
Linusi e deklaron publikisht mospajtimin e tij me idealet e lëvizjes për software të lirë. Ai, gjatë punësimit të tij, është marrë për shumë vjet me software jo të lirë (dhe e ka thënë këtë faqe një publiku të gjerë, gjatë një takimi në “Linux” World) dhe u ka bërë ftesë publikisht zhvilluesve pasues të Linux-it, kernelit, të përdorin software jo të lirë për të punuar mbi të së bashku. Shkon edhe më tej dhe përçmon njerëzit që këshillojnë se inxhinierët dhe shkencëtarët duhet të shqyrtojnë pasojat shoqërore të veprës së tyre teknike—duke hedhur tej kështu mësimet që shoqëria ka marrë nga krijimi i bombës atomike.
Nuk ka asgjë gabim te të shkruarit e një programi të lirë për të mësuar dhe për t’u zbavitur; kerneli që shkroi Linus për arsye të tilla qe kontribut i rëndësishëm te bashkësia jonë. Por ky lloj motivimi nuk është arsyeja pse ekziston sistemi krejtësisht i lirë, GNU/Linux dhe as e sigurojnë lirinë tonë në të ardhmen. Publiku lypset ta dijë këtë. Linusi ka të drejtë të promuovojë idetë e tija; megjithatë, njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që sistemi operativ në fjalë buron prej idealeve të lirisë, jo prej pikëpamjeve të tij.
- A mos jemi gabim që e etiketojmë veprën e Linus Torvalds-it si GNU? (#claimlinux)
-
Do të ishte gabim, ndaj këtë nuk e bëjmë. Vepra e Torvalds-it është Linux-i, kerneli; ne bëjmë kujdes që të mos ia veshim atë vepër Projektit GNU ose ta etiketojmë si “GNU”. Kur flasim për krejt sistemin, emri “GNU/Linux” i jep atij një pjesë të hakës.
- A pajtohet Linus Torvalds që Linux-i është thjesht një kernel? (#linusagreed)
-
Ai e pranoi këtë në ato fillime. Shënimet më të hershme të hedhjeve në qarkullim për Linux-in thoshin:
Shumica e mjeteve të përdorura me linux-in janë software GNU dhe gjenden nën GNU copyleft. Këto mjete nuk janë pjesë e shpërndarjes - për më tepër hollësi, pyetmëni mua (ose GNU-në).
- Pse të mos përfundohet kerneli GNU Hurd, të hidhet në qarkullim sistemi GNU si një i tërë dhe të harrohet çështja se çfarë të quhet GNU/Linux? (#finishhurd)
-
Do të donim të na jepej haka për sistemin operativ GNU, pavarësisht se me
çfarë kerneli është përdorur.
Ta bësh GNU Hurd-in të funksionojë paq, sa të konkurrojë me Linux-in, do të ishte punë shumë e madhe dhe s’është e qartë se sa e nevojshme. E vetmja gjë e gabuar, nga ana etike, me Linux-in si kernel, është përfshirja e “blob”-eve firmware; zgjidhja më e mirë e këtij problemi është zhvillimi i zëvendësimeve të lira për blob-e.
- Beteja është tashmë e humbur—shoqëria e ka vendosur dhe ne nuk mund ta ndryshojmë, madje pse duhet çuar mendja atje? (#lost)
-
Kjo nuk është betejë, është fushatë edukimi. Se si të quhet një sistem nuk është një vendim i vetëm, që të merret në një çast nga “shoqëria”: çdo person, çdo ent, mund të vendosë cilin emër të përdorë. Nuk i bëni dot të tjerët të thonë “GNU/Linux”, por mund të vendosni ta quani sistemin “GNU/Linux” ju vetë—dhee duke bërë kështu, do të ndihmoni të edukohen të tjerët.
- Shoqëria e ka vendosur dhe ne nuk mund ta ndryshojmë, ndaj sa para bën, edhe po të them “GNU/Linux”? (#whatgood)
-
Nuk bëhet fjalë për gjendje krejt-ose-hiç: pamje të sakta dhe të pasakta shpërndahen pak a shumë nga njerëz të ndryshëm. Nëse e quani një sistem “GNU/Linux”, do t’i ndihmoni të tjerët të mësojnë historinë e vërtetë të sistemit, origjinën dhe shkakun që e polli. Nuk mund ta ndreqni keqemërtimin kudo vetë, më shumë se sa mundemi ne, por mund të ndihmoni. Sikur vetëm ca qindra vetë t’ju shohin duke përdorur termin “GNU/Linux”, i bie të keni edukuar një numër domethënës njerëzish përmes shumë pak përpjekjeje. Dhe ca prej tyre do ta shpien ndreqjen edhe te të tjerë.
- A nuk do të ishte më mirë të quhej sistemi “Linux” dhe t’u mësohej njerëzve origjina e njëmendtë e tij, përmes një shpjegimi dhjetëminutësh? (#explain)
-
Nëse na ndihmoni duke u shpjeguar të tjerëve në këtë mënyrë, e vlerësojmë
mundimin tuaj, por kjo s’është metoda më e mirë. S’është aq e efektshme sa
emërtimi e sistemit “GNU/Linux” dhe jua harxhon kohën në mënyrë të
paefektshme.
Është e paefektshme sepse nuk ka për t’u qartësuar dhe me siguri nuk ka për t’u përhapur. Disa nga njerëzit që dëgjojnë shpjegimin tuaj do t’i vënë veshin dhe mund të përvetësojnë përfytyrimin e saktë të origjinës së sistemit. Por si zor t’ua përsërisin shpjegimin të tjerëve, kurdo që vjen fjala te sistemi. Ka gjasa që do ta quajnë “Linux”. Pa dashur vërtet, do të ndihmojnë në përhapjen e përfytyrimit të pasaktë.
Është e paefektshme sepse merr shumë kohë. Të thuash e të shkruash “GNU/Linux” do të hante vetëm pak sekonda në ditë, jo minuta, ndaj arrini të përfshini shumë më tepër njerëz në këtë mënyrë. Bërja e dallimit mes Linux-it dhe GNU/Linux-it kur shkruani dhe flisni është me tërë mend rruga më e lehtë për të ndihmuar Projektin GNU efektivisht.
- Ca persona qeshin me ju kur u kërkoni ta quajnë sistemin GNU/Linux. Pse ia nënshtroni veten këtij trajtimi? (#treatment)
-
Thirrja e sistemit “Linux” priret t’u japë njerëzve një përfytyrim të gabuar
të historikut të sistemit dhe të shkaqeve që e pollën. Njerëzit që qeshin
me kërkesën tonë ka gjasa të kenë marrë këtë përfytyrim të
gabuar—mendojnë se puna jonë u bë nga Linusi, ndaj qeshin kur u
kërkojmë të na jepet haka. Sikur ta dinin të vërtetën, ka gjasa se nuk do
të qesheshin.
Pse i hyjmë rrezikut të bërjes së një kërkese që ndonjëherë i bën njerëzit të tallen me ne? Ngaqë shpesh sjell përfundime të dobishme që i ndihin Projektit GNU. Do të rrezikojmë abuzimin e pamerituar, vetëm synimi ynë të arrihet.
Po qe se shihni të ndodhë një situatë kaq ironikisht e padrejtë, ju lutemi, mos rrini e bëni sehir. Ju lutemi, tregojuni njerëzve që tallen historinë e vërtetë. Kur të shohin pse kërkesa është e përligjur, ata që kanë pak mend do të reshtin së qeshuri.
- Ca persona ju dënojnë kur u kërkoni ta quajnë sistemin GNU/Linux. A nuk humbni duke i bërë ata të huaj? (#alienate)
-
Jo dhe aq. Njerëzit që nuk e vlerësojnë rolin tonë në zhvillimin e sistemit
ka pak gjasa të bëjnë përpjekje domethënëse për të na ndihmuar. Nëse bëjnë
punë që çon përpara synimet tona, të tilla si hedhje në qarkullim software-i
të lirë, ka gjasa të ndodhë për shkaqe të tjera pa lidhje, jo se ua kërkuam
ne. Ndërkohë, duke u mësuar të tjerëve t’i japin hakën e punës sonë dikujt
tjetër, po minojnë aftësinë tonë të rekrutojmë ndihmë nga të tjerët.
Nuk ka kuptim të shqetësohemi se mos na largohen njerëz që janë tashmë, më së shumti, mosbashkëpunues dhe është vetëmposhtje të tërhiqesh nga ndreqja e një problemi të madh nga frika se mos zemërohen njerëzit që e mbajnë atë gjallë. Prandaj do të vazhdojmë të përpiqemi ta ndreqim keqemërtimin.
- Pavarësisht nga sa keni kontribuar, a është e ligjshme të riemërtohet sistemi operativ? (#rename)
-
Nuk po riemërtojmë ndonjë gjë; kemi qenë duke e thirrur këtë sistem “GNU” që kur e bëmë të ditur më 1983. Njerëzit që provuan ta riemërtojnë në “Linux”, nuk duhej të kishin bërë ashtu.
- A s’është gabim të detyrohen njerëzit ta quajnë sistemin “GNU/Linux”? (#force)
-
Do të qe gabim të detyrohen dhe as provojmë. Ne e quajmë sistemin “GNU/Linux” dhe ju kërkojmë të bëni njësoj.
- Pse të mos paditen njerëzit që e quajnë krejt sistemin “Linux”? (#whynotsue)
-
Nuk ka rrethana ligjore për t’i paditur, por meqë besojmë në lirinë e fjalës, nuk do të donim ta bënin, sido që të qe. Ne u kërkojmë njerëzve ta quajnë sistemin “GNU/Linux” ngaqë kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë.
- A nuk do të duhej të vendosnit diçka te GNU GPL për t’u kërkuar njerëzve ta quajnë sistemin “GNU”? (#require)
-
Qëllimi i GNU GPL-së është të mbrojë lirinë e përdoruesve nga ata që do të krijonin versione pronësore të software-it të lirë. Teksa është e vërtetë se ata që e quajnë sistemin “Linux”, shpesh bëjnë gjëra që e kufizojnë lirinë e përdoruesit, bie fjala, paketim software-i jo të lirë në sistemin GNU/Linux, ose madje edhe zhvillim software-i jo të lirë për qëllime të tilla, akti i thjeshtë i emërtimit të sistemit “Linux” nuk u mohon, në vetvete, përdoruesve lirinë e tyre. Duket jo e përshtatshme ta bësh GPL-në të kufizojë se ç’emër mund të përdoret për sistemin.
- Meqë kundërshtuat domosdoshmërinë e përmendjes së Universitetit të Kalifornisë sipas licencës origjinale BSD, a nuk është hipokrizi të kërkohet përmendja e projektit GNU? (#BSDlicense)
-
Do të ishte hipokrizi të bëhej emri GNU/Linux domosdoshmëri licence dhe as
nuk duam. Ne vetëm kërkojmë që ju të na jepni hakun që meritojmë.
Ju lutemi, mbani shënim që ka të paktën dy licenca të ndryshme BSD. Për hir të qartësisë, ju lutemi, mos përdorni termin “licencë BSD” pa specifikuar se për cilën bëhet fjalë.
- Meqë dështuat të vendosnit diçka te GNU GPL-ja, për t’u kërkuar njerëzve ta quajnë sistemin “GNU”, mirë t’ju bëhet; pse ankoheni tani? (#deserve)
-
Pyetja nënkupton një parakusht të përgjithshëm etik deri diku të
debatueshëm: që, nëse njerëzit nuk ju detyrojnë t’i trajtoni pa hile, e keni
tagër të përfitoni prej tyre sa të doni. Me fjalë të tjera, merr të
mirëqenë që forca të jep të drejtë.
Shpresojmë se nuk pajtoheni me këtë parakusht, njësoj si ne.
- Mos do të ishte më mirë të mos i dilnit kundër asaj çka shumë vetë e besojnë? (#contradict)
-
Nuk mendojmë se duhet të merremi me grupe të mëdhenj njerëzish ngaqë këta
janë ngatërruar. Shpresojmë që edhe ju do të vendosni që e vërteta është e
rëndësishme.
Nuk do të mundnim kurrë të zhvillonim një sistem operativ të lirë pa mohuar së pari besëtytninë, të kultivuar nga shumë njerëz, që software-i pronësor është i ligjshëm dhe i pranueshëm.
- Meqë shumë vetë e quajnë “Linux”, a e bën kjo të saktë? (#somanyright)
-
Nuk besojmë se popullariteti i një gabimi e shndërron atë në një të vërtetë.
- A s’është më mirë të quhet sistemi me emrin që e njohin shumica e përdoruesve? (#knownname)
-
Përdoruesit nuk është se janë të paaftë të nxënë. Meqë “GNU/Linux” përfshin “Linux”, do ta kuptojnë se për çfarë po flisni. Nëse me raste shtoni “(referuar shpesh gabimisht si “Linux”)”, do ta kuptojnë.
- Mjaft vetë janë të ndjeshëm mbi çka është e leverdishme apo se kush po fiton, jo rreth argumenteve të drejtë apo të gabuar. A nuk mund ta përthithni mbështetjen e tyre përmes një rruge tjetër? (#winning)
-
Të bësh kujdes vetëm për çka të leverdis, ose për kë po fiton, është trajtim
i pamoral i jetës. Software-i jo i lirë është një shembull i këtij trajtimi
të pamoralshëm dhe lulëzon mbi të. Ndaj për ne do të ishte vetëmposhtje t’i
përulemi këtij trajtimi, parë në perspektivë afatgjatë. Ne do të vazhdojmë
të flasim me termat e të saktës dhe të gabuarës.
Shpresojmë të jeni një prej atyre për të cilët e sakta dhe e gabuara kanë rëndësi.
Për të mësuar më tepër rreth kësaj çështjeje, mund të lexoni gjithashtu faqen tonë mbi Linux-in dhe Projektin GNU, faqen tonë mbi Pse GNU/Linux? dhe faqen tonë mbi Përdorues të GNU-së Që Nuk Kanë Dëgjuar Kurrë Për GNU-në.