Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Software-i i Lirë dhe Arsimi

Ç’lidhje Ka Software-i i Lirë Me Arsimin?

Liria e software-it ka një rol themelor në arsim. Institucionet arsimore të të gjithave shkallëve do të duhej të përdornin dhe të jepnin mësim Software-in e Lirë, ngaqë është i vetmi software që u lejon të përmbushin misionin e tyre thelbësor: përhapjen e dijes njerëzore dhe përgatitjen e nxënësve për të qenë anëtarë të denjë të bashkësisë së tyre. Kodi burim dhe metodat e Software-it të Lirë janë pjesë e dijes njerëzore. Përkundrazi, software-i pronësor është dije e fshehtë, e rezervuar vetëm për disa, çka bie ndesh me misionin e institucioneve arsimore. Software-i i Lirë e përkrah arsimin, software-i pronësor e pengon arsimin.

Software-i i Lirë nuk është çështje thjesht teknike; është çështje etike, shoqërore dhe politike. Është çështje e të drejtave të njeriut të cilat përdoruesit e software-it duhet t’i gëzojnë. Liria dhe bashkëpunimi janë vlerë thelbësore të Software-it të Lirë. Sistemi GNU i sendërton këto vlera dhe parimin e ndarjes me të tjerët të gjërave, ngaqë ndarja i bën mirë përparimit njerëzor.

Për ta njohur më nga afër, shihni përkufizimin e Software-it të Lirë dhe artikullin tonë se pse software-i do të duhej të ishte i lirë (si tek liria).

Bazat

Projekti GNU u fillua më 1983 nga Richard Stallman për zhvillimin e një sistemi operativ Free Libre: sistemin operativ GNU. Si përfundim, sot për këdo është e mundur të përdorë i lirë një kompjuter.

Në këtë video gjashtëminutëshe, Richard Stallman shpjegon shkurt thelbin e parimeve të Software-it të Lirë dhe se si lidhen ato me arsimin.

Shkarkojeni dhe shiheni videon me cilësi më të lartë, në formatin e lirë Ogg Theora (ogv). Transkriptime të kësaj videoje mund t’i gjeni në Shqip, Anglisht, Spanjisht dhe gjuhë të tjera. Ka edhe kartela titrash SubRip që mund t’i shkarkoni në Shqip, Anglisht, Spanjisht dhe gjuhë të tjera.

Më Në Thellësi