Kur një Shoqëri Kërkon të Drejtat Tuaja të Kopjimit
Shoqëritë që zhvillojnë software të lirë dhe e hedhin në qarkullim sipas GNU GPL-së, ndonjëherë shpërndajnë ndonjë kopje të kodit në rrugë të tjera. Nëse shpërndajnë të njëjtin kod ekzakt sipas një licence tjetër, për disa përdorues që paguajnë për këtë, përgjithësisht duke lejuar përfshirjen e kodit në programe pronësore, e quajmë “përjashtime shitjeje”. Nëse shpërndajnë ndonjë version të kodit vetëm në një mënyrë pronësore, atë hedhje në qarkullim e quajmë thjesht një version puro pronësor të programit.
“Përjashtime shitjeje te GNU GPL” shpjegon pse përjashtimet te shitjet janë të pranueshme, por vetëm pak. Përkundrazi, hedhja në qarkullim e një versioni puro pronësor është tërësisht e gabuar, si çdo software tjetër pronësor.
Shoqëritë zakonisht bëjnë kështu me kodin që kanë zhvilluar. Ngaqë zotërojnë të drejtat e kopjimit mbi atë kod, munden ligjërisht të shpërndajnë në çfarëdo rruge, madje edhe në rrugë paralele në të njëjtën kohë. Por ç’ndodh, kur botoni një version të ndryshuar të një programi të lirë dhe shoqëria dëshiron të përfshijë në versionin e vet ndryshimet tuaja?
Ngaqë programin e morët nën GPL-në, kur shpërndani një version të ndryshuar, duhet ta licenconi sipas GPL-së. Nëse shoqëria merr një kopje, do të jetë në gjendje të përdorë këto ndryshime sipas GPL-së; s’do t’i lejohet të përfshijë ndryshimet tuaja te ai program dhe të shesë përjashtime për të. S’do të jetë gjithashtu në gjendje të hedhë në qarkullim versione puro pronësorë që përmbajnë kodin tuaj. Nëse ky është rezultati që doni, e përfitoni vetvetiu, si parazgjedhje. Por, nëse shoqëria ka për qëllim të shesë përjashtime, gjasat janë të vendosë të mos përdorë ndryshimet tuaja.
Por le të hamendësojmë se s’jeni kundër përjashtimeve për shitje dhe jeni dakord ta lini shoqërinë të bëjë kështu, përfshi ndryshimet tuaja te programi. Mund të jeni dakord me këtë, por lypset të jeni të kujdesshëm për atë çka nënshkruani, ose rezultatet mund t’ju çudisin.
Gjasat janë që shoqëria do t’ju ftojë t’i jepni ose licenconi të drejtat tuaja të kopjimit shoqërisë, duke nënshkruar një kontratë dhënieje të drejtash kopjimi, ose një marrëveshje licence kontribuesi. Në vetvete, kjo s’është e keqe, për nga natyra; për shembull, mjaft zhvillues software-i GNU ia kanë dhënë të drejtat e kopjimit FSF-së. Por, FSF-ja nuk shet kurrë përjashtime dhe kontratat e saj të dhënies përfshijnë përkushtimin për ta shpërndarë kodin e kontribuesit vetëm me burimin dhe për të lejuar vetëm rishpërndarje.
Kontrata e propozuar nga shoqëria mund të mos përfshijë një përkushtim të tillë. Mund të sjellë, në vend të tij, që shoqëria të përdorë ndryshimet tuaja në çfarëdo mënyrë që do. Nëse e nënshkruani këtë, shoqëria mund të bëjë gjëra të ndryshme me kodin tuaj. Mund të vazhdojë të shesë përjashtime për një program, duke përfshirë kodin tuaj. Mund të hedhë në qarkullim versione të ndryshuara ose të zgjeruara, puro pronësorë, duke përfshirë kodin tuaj. Mundet madje të përfshijë kodin tuaj vetëm në versione pronësorë. Kontributi juaj kod mund të shndërrohet, praktikisht, në një dhuratë për software-in pronësor.
Është në dorën tuaj cilën nga këto veprimtari të lejoni, por ja rekomandimet e FSF-së. Nëse keni në plan të jepni kontribut të rëndësishëm te projekti, këmbëngulni që marrëveshja për kontributin të kërkojë doemos që versionet e software-it që përfshijnë kontributet tuaj të jenë të passhëm nga publiku sipas një licence software-i të lirë. Kjo do t’i lejojë zhvilluesit të shesë përjashtime, por do ta pengojë të përdorë kontributet tuaja në software që është i passhëm vetëm sipas një licence pronësore.
Nëse kontributet tuaja janë më të vockla, mund të pranonit një kusht më të dobët, që shoqëria të bëjë kontributet tuaja të passhme te një hedhje në qarkullim software-i të lirë, si dhe, me gjasa, në programe jo të lirë. Kjo do ta lejonte shoqërinë të përdorë kontributet tuaja në software të ndryshuar që është i passhëm vetëm sipas një licence pronësore. Hedhja në qarkullim e software-i pronësor kurrë s’është gjë e mirë, por nëse ndryshimet tuaja janë të vockla, mund të jetë më e rëndësishme të përmirësohet versioni i lirë, se sa rezistenca ndaj versioneve jo të lirë.
Se ç’rrjedh pre tyre mund ta kontrolloni duke këmbëngulur në kushtet e duhura te kontrata. Që të lejoni përjashtime shitjeje për programin që përmban kodin tuaj, por të mohuar lënien e shoqërisë të hedhë në qarkullim versione puro pronësore që përmbajnë kodin tuaj, mund të këmbëngulni për një kusht pak a shumë si ky:
Çfarëdo programi që e shpërndan FILANI, i bazuar në (siç përkufizohet te GNU General Public License version 3) kodin e Hacker-it, nga FILANI duhet të bëhet i passhëm sipas (a) “GNU General Public License (GPL), version 2 ose të mëvonshëm”, ose (b) sipas licencimit te (a), më sipër, por me “2” të zëvendësuar nga një numër më i madh versioni ekzistues të GPL-së. Duke pranuar se FILANI e bën programin të passhëm falas për publikun si kod burim sipas kësaj mënyre, mund të shpërndajë edhe programin identik për disa nga përdoruesit e vet sipas kushtesh që u lejojnë atyre të lidhin kodin e programit me kod jo të lirë dhe ndërthurjen ta hedhin në qarkullim në një formë dyore, sipas një licence të zgjedhur prej tyre.
Ose, nëse ajo për të cilën s’bini dakord, është se një variant i kodit tuaj mund të hidhet në qarkullim vetëm në një version pronësor, mund të këmbëngulni për një kusht pak a shumë të tillë:
Çfarëdo programi që e shpërndan FILANI, i bazuar në (siç përkufizohet te GNU General Public License version 3) kodin e Hacker-it, nga FILANI duhet të bëhet i passhëm sipas (a) “GNU General Public License (GPL), version 2 ose i mëvonshëm”, ose (b) sipas licencimit te (a), më sipër, por me “2” të zëvendësuar nga një numër më i madh versioni ekzistues i GPL-së. Duke pranuar se FILANI e bën programin të passhëm falas për publikun si kod burim sipas kësaj mënyre, mund të shpërndajë edhe të njëjtin version të kodit të Hacker-it në programe të tjerë të hedhur në qarkullim sipas licencash të tjera të zgjedhura prej tij.
Nëse programi hidhet në qarkullim sipas GNU Affero GPL, atëherë shtoni “Affero” para “General”,; në vend të “GPL” vendosni “AGPL”, ndërroni “2 ose” me “3 ose” dhe mund të kish kuptim të zëvendësohej “që shpërndan FILANI” me “që shpërndan FILANI, ose sendërton në një shërbyes të përdorshëm nga përdorues të tjerë tej FILANIT”.
FSF-ja i ka shqyrtuar këto tekste me një jurist, por ju duhet të konsultoheni me juristët tuaj, para se t’i përdorni ato.
Kur një shoqëri thotë se cilat nga këto kushte do të pranojë, kjo do t’ju rrëfejë se deri ku ka në plan t’u largohet parimeve të software-it të lirë. Mandej mund të përgjigjeni për të garantuar që puna juaj do të kontribuojë te bashkësia e software-it të lirë dhe s’do të devijohet në software pronësor.