Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
Ekipi GNU i Edukimit
Ekipi GNU i Arsimit qe krijuar fillimisht për t’u marrë me krijimin e një ndarjeje brenda sajtit gnu.org që do të trajtonte posaçërisht rëndësinë e Software-it të Lirë në fushën e arsimit. Besojmë se arritjet e Projektit GNU duhet të aplikohen në krejt fushat e arsimit, nëse bëhet fjalë të kenë ndikim efikas pozitiv në shoqërinë si e tërë.
Ekipi i jep një përgjigje nevojës për një trajtim të plotë adoptimit të Software-it të Lirë nga institucionet arsimore. Tok me asistencën teknike dhe qenien gati të software-it adekuat të lirë për arsimin, një kuptim më i mirë i themeleve të filozofisë së GNU-së do të ndihmojë shumë procesin e marrjes së vendimeve, kur shkolla dhe universitete të marrin në shqyrtim mundësinë e instalimit apo migrimi në Software të Lirë. Për këtë arsye, synojmë ta vëmë theksin te rëndësia e parimeve etike të Software-it të Lirë, ngaqë janë në një vijë me objektivat e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve. Ky trajtim do të sigurojë sukses dhe efikasitet të migrimit, përgjatë kohës. Shtimi i ndërgjegjësimit mbi këto parime është synimi kryesor i ekipit tonë.
Ne kundërshtojmë çfarëdo masash të ndërmarra nga qeveri apo institucione arsimore për të imponuar përdorimin software-it dhe standardeve pronësore në shkollë. Jemi për të drejtën e mësuesve dhe nxënësve të përdorin Software të Lirë në shkollë.
Me punën tonë, duam të japin gjithashtu prova se liritë e akorduara nga Software-i i Lirë nuk janë pjesë teorish abstrakte, por mund të ushtrohen nga krejt përdoruesit, përfshi institucionet arsimore. Universitetet dhe shkollat munden dhe duhet t’i vënë këto liri në përdorim të mbarë dhe synimi ynë është t’u tregojmë se si.
Me këto objektiva në mendje, ekipi synon të plotësojë pikat vijuese:
- Të paraqesë raste institucionesh arsimore anembanë botës që janë të suksesshme në përdorimin dhe dhënien mësim të Software-it të Lirë.
- Të shfaqë shembuj se si programet e lira përdoren nga institucione arsimore për të përmirësuar proceset e të nxënit dhe të mësimdhënies.
- Të botojë artikuj mbi aspekte të ndryshme që lidhen me përdorimin e Software-it të Lirë nga institucione arsimore.
- Të mbajë hapur një dialog me mësues, nxënës dhe administratorë institucionesh arsimore, për të njohur vështirësitë e tyre dhe për të dhënë asistencë për to.
- Të mbajë lidhje me grupe të tjera anembanë botës të përkushtuar promovimit të Software-it të Lirë në arsim.
Nëse ju intereson puna jonë dhe dëshironi të ndihmoni, nëse keni çfarëdo pyetjesh apo sugjerimesh, ose dini institucione arsimore në botë që ndjekin filozofinë e GNU-së dhe kanë sendërtuar me sukses Software të Lirë, ju lutemi, na shkruani dy rreshta te <[email protected]>.